2011-01-07 16:50:17

Dita misionare e fëmijëve, ftesë për t’i ndihmuar bashkëmoshatarët më pak të lumtur.


(07.01.2011 RV)Dita misionare e fëmijëve, që u kremtua dje në shumë vende të botës, ishte ftesë drejtuar fëmijëve dhe të rinjve, për ta thelluar impenjimin e kumtimit e të solidaritetit ndaj bashkëmoshtarëve të afërt e të largët. Shumë fëmijë e të rinj – siç kujtoi dje edhe Benedikti XVI pas lutjes së Engjëllit të Tënzot - formojnë një rrjet shpirtëror solidariteti, për të ndihmuar bashkëmoshtarët e tyre më pak të lumtur, në çaste të vështira. Ka shumë rëndësi – shtoi Papa – të rriten me ndjenja dashurie, sepse vetëm kështu mund të mendojnë më pak për vete e më shumë për të tjerët, të fitojnë mbi egoizmin e të përballojnë me sukses ndikimin e konsumizmit. Dita e fëmijëve ishte një rast i përshtatshëm edhe për ta kuptuar më mirë domethënien e Dëftimit të Zotit.
Po, si e jetuan këtë Ditë vetë fëmijët? Përgjigjet, në mikrofonin tonë, Baptistine Ralamboarison, sekretare e përgjithshme e Veprës Papnore të Fëmijëve Misionarë, që e promovon këtë nismë:

Përgjigje: - Fëmijët bëjnë një sintezë - në se mund të shprehemi kështu – të të gjitha nismave e të të gjitha veprimtarive. Kulmi i kësaj dite, kushtuar fëmijëve, është kremtimi eukaristik, gjatë të cilit ata mbledhin edhe lëmoshë, gjë që i bën më konkrete ndjenjat e tyre. Mbledhin, kështu, ndihma, që ushqejnë Fondin universal në ndihmë të fëmijëve.

Pyetje: - Dihet, pastaj, se këto ndihma shërbejnë për realizimin e një sërë projektesh: a mund të na jepni një shembull?

Përgjigje: - Vepra e fëmijërisë misionare, në sajë të përpjekjeve e të flijimeve të vetë fëmijëve, financon rreth 2. 500 projekte në vit. Jemi afër shifrës 20-22 milionë dollarë. Projektet, që financojmë, synojnë kryesisht t’i aktivizojnë fëmijët në veprimtari misionare, sepse ky është qëllimi i vetë Veprës. Prandaj Dita e fëmijëve misionarë shoqërohet me një veprimtari të dendur baritore, që organizohet nga të gjitha dioqezat e që ndihmon fuqimisht për t’i bërë fëmijët të vetëdijshëm për rolin që kanë në Kishë. Kemi, pastaj, edhe projekte me karakter shkollor, duke pasur parasysh se shkollat katolike janë mjet i shkëlqyer i ungjillëzimit. Por ka edhe projekte, që vihen në mbrojtje të jetës, kudo ndjehet nevoja për ndihmë: në jetimore, në qendrat për fëmijët me aftësi të kufizuara fizike e mendore, në qendra të tjera, të cilat u përgjigjen kërkesave nga më të ndryshmet, në mbrojtje të fëmijëve, më pak të lumtur sesa ata, që kanë mundësi të ndihmojnë, fizikisht e materialisht. Ku ka nevojë, ne përpiqemi të japim edhe ndihmën e duhur, që fëmijëve të mos u mungojë kapitali për të realizuar projektet e tyre.

Pyetje: - Do të dëshironim të dinim, sa fëmijë e të rinj bëjnë pjesë në Veprën Papnore të Fëmijëve Misionarë?

Përgjigje: - Çdo fëmijë i pagëzuar është anëtar i Veprës së Fëmijëve Misionarë, edhe atëherë kur nuk e di. E kjo, sepse çdo fëmijë i pagëzuar ngarkohet menjëherë me misionin për të ungjillëzuar. E, ja pra, pse ne i kushtojmë vëmendje të dorës së parë punës për t’i bërë fëmijët të vetëdijshëm për rolin e tyre, si protagonistë në jetën e Kishës. Ka rëndësi, pra, ta mbajmë gjithnjë të zgjuar këtë vetëdije të rolit misionar. E, në këtë kuptim, të gjithë fëmijët e pagëzuar janë anëtarë të Fëmijërisë Misionare.

Pyetje: - Ç’duhet të ketë parasysh një fëmijë në jetën e tij të përditshme, për të qenë misionar?

Përgjigje: - Mbi të gjitha, sjelljen: të japë dëshmi me sjelljen e vet, duke u përpjekur të merret vesh me bashkëmoshatarin, që ka pranë, ta ndihmojë të kuptojë se është Biri i Zotit e se Zoti është gati t’ia dhurojë edhe atij dashurinë e Tij, pa të cilën nuk mund të kuptohet vetë jeta.







All the contents on this site are copyrighted ©.