2011-01-06 16:51:42

Trëndafila për koptët e Aleksandrisë në meshën e Venedikut


(06.01.2011 RV)Në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, Mesha e Shenjtë në Bazilikën e Shën Markut në Venedik, kryesuar sot në orën 10.30, nga Patriku, kardinali Anxhelo Skola, është tradicionalisht rasti i bashkimit në lutje me misionarët venedikas, meshtarë, rregulltarë e laikë, që shërbejnë në vende të ndryshme të botës. Bashkësia katolike u lut edhe për të krishterët e persekutuar e për martirët, sidomos për viktimat e atentatit në kishën kopte të Aleksandrisë së Egjiptit. 12 trëndafila të kuq u çuan gjatë meshës në elterin e Shën Markut e në fund të kremtimit, u vendosën në elterin e Zojës ‘Nicopeia’, “veprimtares së fitores”, ikonë që nderohet jashtëzakonisht nga venedikasit, sëbashku me atë të Zojës së Shëndetit. Ky gjest i përket traditës së Venedikut e zakonisht bëhet më 25 prill, në festën e Shën Markut, pajtorit të qytetit. Kësaj radhe, trëndafilat u bënë pjesë e liturgjisë për të kujtuar të krishterët e vrarë në Egjipt. Edhe Kisha aleksandrine, ashtu si ajo e Venedikut, ka lindur pas veprimtarisë misionare të shën Markut Ungjilltar.







All the contents on this site are copyrighted ©.