2011-01-06 16:50:41

Papa në solemnitetin e Dëftimit të Zotit: Fjala e Zotit është ylli i vërtetë, që na udhëheq drejt së vërtetës. Jam pranë bashkësive të krishtera në sprovë.


(06.01.2011 RV)Në solemnitetin e sotëm të Dëftimit të Zotit, Benedikti XVI kryesoi Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë nënvizoi se “Fjala e Zotit është ylli i vërtetë, që në mesin e pasigurisë së fjalëve njerëzore, na jep shkëlqimin e pamatë të së vërtetës hyjnore”. Ndërsa më pas, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, zëri i Papës u ngrit në mbrojtje të të krishterëve që vuajnë, edhe pse pa përmendur shprehimisht kishën kopte të Aleksandrisë së Egjiptit dhe atentatin ku gjetën vdekjen 23 vetë për Vitin e Ri:RealAudioMP3
“Urimet më të përzemërta për vëllezërit e motrat e kishave lindore, që nesër kremtojnë Krishtlindjen. Mirësia e Zotit, që u shfaq në Jezu Krishtin, Fjalën e mishëruar, i përforcoftë të gjithë në fe, shpresë e dashuri dhe u dhëntë ngushëllim, bashkësive në sprovë”.

Të kthehemi tek Mesha e paradites së sotme. Gjatë homelisë, Papa përshkoi rrugën e Mbretërve Dijetarë në kërkim të Mesisë. Dijetarët – shpjegoi Benedikti XVI – e studionin qiellin jo për të lexuar të ardhmen tek yjet, por për të kërkuar dritën e vërtetë, atë që na tregon rrugën e jetës. Ata e dinin se “qiejtë tregojnë lavdinë e Zotit” dhe e ndiqnin yllin kometë me sytë e arsyes së thellë për të parë në Gjithësi gjurmët e Hyjit. Dëshira për ta gjetur Krishtin u vinte nga feja, nga besimi se mund ta takonin, nga siguria se Zoti ishte bërë njeri për t’u afruar drejt nesh. Universi nuk është rezultat i rastit:
“Në bukurinë e botës, në misterin e saj, në madhështinë e racionalitetin e saj nuk mund të mos shohim arsyen e amshuar e nuk mund të mos lejojmë që ajo të na udhëheqë deri tek Zoti i vetëm, krijues i qiellit e i tokës. Nëse e kemi këtë këndvështrim, do ta kuptojmë se Ai që ka krijuar botën dhe Ai që lindi në një shpellë në Betlehem e vazhdon të banojë mes nesh në Eukaristi, janë i njëjti Zot i gjallë, që na fton, na do, dëshiron të na çojë drejt jetës së amshuar”.
Ylli kometë, vazhdoi Papa duke përshkuar rrugën e Mbretërve Dijetarë, i udhëhoqi ata drejt të varfërve, të përvuajturve. Aty gjetën Mbretin e botës. Kriteret e Zotit janë të ndryshme nga ato të njerëzve. Hyji nuk duket me pushtetin e kësaj bote, por me përvujtërinë e dashurisë së tij, që na lë të lirë ta pranojmë. Ndoshta do të kishim dashur, që Zoti të dukej në botë, duke i dhënë asaj, për shembull, një sistem ekonomik më të drejtë, por:
“Në të vërtetë, kjo do të ishte një lloj dhune kundër njeriut, pasi do ta privonte nga elementet themelore, që e karakterizojnë. Në fakt, nuk do të mund të përdoreshin as liria, as dashuria jonë. Fuqia e Zotit duket në mënyrë krejt të ndryshme: në Betlehem, ku takojmë në dukje, pafuqinë e dashurisë së Tij. E pikërisht atje duhet të shkojmë, pikërisht atje e gjejmë yllin e Zotit”.

Më pas, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI iu kthye sërish këtij koncepti:
“Të krishterët – theksoi Papa – janë të thirrur ta imitojnë shërbimin e fesë, që bëri ylli për Mbretërit Dijetarë. Duhet të shkëlqejnë si bijtë e dritës, për t’i tërhequr të gjithë drejt bukurisë së Mbretërisë së Hyjit. E atyre që kërkojnë të vërtetën, duhet t’u ofrojnë Fjalën e Zotit, që çon drejt Jezusit e që sheh tek Krishti, Zotin e vërtetë dhe jetën e amshuar”.
Kjo është detyra e Kishës, tha Papa, i cili, në përfundim të Lutjes së Engjëllit të Tënzot, kujtoi se festa e Dëftimit të Zotit është edhe Dita Misionare e Fëmijëve. Ati i Shenjtë i ftoi të vegjlit të rriten me ndjenja dashurie e vëllazërie, duke kapërcyer egoizmin dhe konsumizmin.








All the contents on this site are copyrighted ©.