2011-01-06 16:55:12

Befana: traditë e legjendë


Befana është figurë tipike e folklorit, e pranishme në krijimtarinë gojore popullore të mbarë popullit italian. Lidhet me të gjitha figurat folkloristike që shpërndajnë dhurata, menjëherë pas kremtimeve të Krishtlindjes.

Sipas traditës, Befana shkon për vizitë tek fëmijët natën e Dëftimit të Zotit, më 6 janar, për t’u mbushur çorapet e varura në vende të ndryshme. Fëmijëve të mirë u dhuron ëmbëlsira, të këqijve, qymyr- prej sheqeri, natyrisht. Ka pamjen e shtrigës, por të shtrigës së mirë, gjithnjë buzagaze, me thesin e dhuratave ngarkuar mbi shpinë.

Legjenda:
Sipas rrëfimit popullor, Tre Mbretërit Dijetarë, drejtuar për në Betlehem, për t’i paraqitur dhuratat e tyre Krishtit Fëmijë, me që nuk po e gjenin rrugën, iu lutën një plake vendase t’u printe.
Megjithë këmbënguljen e tyre, plaka nuk doli nga shtëpia për t’i shoqëruar. E ata u nisën përsëri, rrugë pa rrugë. Sapo ishin zhdukur në horizont, me devetë e tyre ngarkuar, plaka u pendua. Mbushi shpejt e shpejt një thes me ëmbëlsira, doli nga shtëpia e u nis pas gjurmëve të tyre. Por nuk mundi t’i takonte. E vijoi kështu, duke trokitur derë më derë e duke u dhuruar ëmbëlsira fëmijëve, që takonte, me shpresë se njëri prej tyre do të ishte Krishti Fëmijë.
Që asokohe Befana plakë vijon të shtegtojë nëpër botë, duke u bërë dhurata fëmijëve, me shpresë se Krishti Fëmijë do ta falë.
Ja si i këndon Befanës poeti i njohur italian, Gjovani Paskoli:
“Erdhi, erdhi prap Befana;
zbret nga malet nëpër natë,
lodhë e këputë nga rruga e gjatë,
dëbora, ngrica e tramundana”.

Befana, pra, përkon me solemnitetin e Dëftimit të Zotit, më 6 janar, e lidhet ngushtë me figurat e Tre Mbretërve: Melkiori, Baldasari e Gaspri, që u nisën nga vende të ndryshme, ndoshta nga Nubia, Godolia e Tharsis, për t’i dhuruar Jezusit ar, kem e mirrë. Simbolika e dhuratave: ar - për Mbretin; kem - për Zotin, mirrë - për njeriun që do të flijohej në kryq, sepse mirra është aromë që përdoret për të lyer trupat e të vdekurve. Njihnin kështu flijimin e Zotit, sundimin e tij mbretëror mbi universin e hyjninë e Foshnjës së grazhdit.







All the contents on this site are copyrighted ©.