2011-01-06 16:54:55

Askush të mos ketë frikë nga Krishti: thirrja për jo të krishterët nga solemniteti i Dëftimit të Zotit.


Askush të mos ketë frikë nga Krishti e nga mesazhi i Tij. Kjo është porosia për jo të krishterët, që buron nga festa e të Dëftimit të Zotit. Shfaqja e Krishtit para Mbretërve Dijetarë përfaqëson edhe Dëftimin e Kishës dhe të misionit të saj universal para botës.
Në solemnitetin e Dëftimit të Zotit kremtojmë pra dëftimin e Krishtit para njerëzve, të cilët përfaqësohen nga tre Mbretërit Dijetarë, të ardhur nga Lindja. Kremtojmë Krishtin, i cili bëhet qëllimi i shtgetimit të popujve në kërkim të shpëtimit. Kjo është me pak fjalë domethënia e thellë e solemnitetit të sotëm.
Vërtet kanë kaluar 20 shekuj që kur një mister i tillë Hyjnor u zbulua dhe u realizua në Krishtin, por ai akoma nuk është përmbushur krejtësisht. Kjo është përshpytja, madje bindja se misioni i Kishës është akoma në fillimet e veta. Gjithmonë e kudo, Kisha pati në themel një qëllim të vetëm, atë për t’i shpallur njerëzimit bashkëkohor Krishtin, dritën e botës, që simbolizohet mrekullueshëm në këtë festë.
E edhe sot nga zemra e Kishës, duke filluar nga personalitetet më të larta të hierarkisë, del si diçka e domosdoshme, nxitur nga Shpirti i Shenjtë, dëshira për një dëftim të ri të Krishtit në botë; në një botë, që epoka moderne e ka shndërruar thellësisht e, që për herë të parë në histori gjendet para sfidës së një qytetërimi global.
E në këtë qytetërim global duhet të kërkojmë e të gjejmë jo vetëm një rend të ri politik dhe ekonomik, por njëkohësisht edhe shpirtëror e kulturor. Në fillim të mijëvjeçarit të tretë, gjendemi në thelb të kësaj faze të historisë njerëzore, që përqendrohet rreth fjalës “globalizim”. Një sfidë e vështirë, pikërisht sepse jemi të përfshirë në të: një rrezik i forcuar shumë nga përhapja e jashtëzakonshme e mas-mediave, të cilat shpesh në vend që ta përmirësojnë, duket se e dobësojnë aftësinë tonë për të kryer një sintezë kritike të epokës ku jetojmë. Kisha sot i drejtohet njerëzimit me mesazhin e Krishtlindjes: së pari qeveritarëve, së dyti njerëzve të shkencës dhe kategorisë së tretë udhëheqësve shpirtëror të feve të mëdha
Pas 2 mijë vjetësh, mund të njohim në figurat e Mbretërve Dijetarë një lloj paraqitje simbolike të këtyre tri përmasave, që përbëjnë njerëzimin modern: përmasën politike, atë shkencore e atë fetare. Festa e Dëftimit të Zotit na i tregon në shtegtim, pra në një moment kërkimi e udhëtimi, që në fund të fundit, ka si pikë mbërritjeje Krishtin.
Edhe Zoti, na mëson Kisha, është në shtegtim drejt njeriut. Jezusi erdhi për t’u takuar me njerëzimin, me secilin prej nesh. Për hir të dashurisë, Ai u bë histori brenda historisë së njerëzimit. Prandaj Kisha sot i fton me forcë përfaqësuesit e traditave të mëdha fetare jo të krishtera të konfrontohen me dritën e Krishtit, i cili nuk erdhi në botë për të zhdukur, por për të çuar deri në fund, atë që dora e Zotit ka shkruar në historinë fetare të qytetërimit botëror, sidomos në shpirtrat e mëdhenj, që kanë kontribuar në përparimin e njerëzimit me diturinë dhe shembullin e tyre të virtytshëm.
Krishti është dritë dhe drita nuk mund të errësojë, por vetëm të ndriçojë, të qartësojë, të zbulojë. Prandaj, askush të mos ketë frikë nga Krishti e nga mesazhi i Tij! E nëse në rrjedhën e historisë, të krishterët, duke qenë njerëz me kufizime e mëkatarë, e kanë tradhëtuar nganjëherë me sjelljet e tyre mesazhin e Krishti, kjo vë akoma më shumë në dukje se drita e vërtetë është pikërisht Krishti e se Kisha e reflekton dhe përhap këtë dritë vetëm duke mbetur në Të dhe e bashkuar me Të.
Sot na vjen në ndihmë pikërisht shembulli i Mbretërve Dijetarë. Ata e kishin parë kometën, por kjo nuk do të kishte mjaftuar, nëse ata nuk do të kishin qenë njerëz të gatshëm t’ia hapnin zemrën së vërtetës. Ashtu si Dijetarët, edhe ne jemi të thirrur t’ia hapim mendjen dhe zemrën Krishtit.
Të gjithë shqipatërve e njerëzve të kohës sonë, dëshirojmë t’u përsërisim sot: mos kini frikë nga drita e Krishtit! Drita e tij është shkëlqimi i së vërtetës. Ndriçohuni prej tij, o shqiptarë e ju popuj të botës; lejoni që t’ju mbështjellë me dashurinë e tij e do të gjeni rrugën e paqes së vërtet.







All the contents on this site are copyrighted ©.