Benedikti XVI viziton fëmijët e shtruar në Poliklinikën romake “Gemelli”.
(05.01.2011 RV)Sot pasdite Papa Benedikti XVI vizitoi spitalin romak ‘Gemelli’,
ku shkoi kryesisht per të takuar fëmijët e sëmurë e për t’u shpërndarë personalisht
dhuratat e Krishtlindjes e të Epifanisë. E pritën, në hyrje të Poliklinikës,
Mëkëmbësi i përgjithshëm i Dioqezës së Romës, kardinali Agostino Valini; Rektori i
Madh i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, profesor Lorenco Ornaghi dhe autoritete
të tjera të larta shkencore, administrative e kishtare të Poliklinikës. Më pas
Ati i Shenjtë u ngjit me ashensor, në katin e pestë, ku e priste drejtori i Repartit
të pediatrisë, profesor Costantino Romagnoli. Papa Benedikti XVI vizitoi Repartin
e Pediatrisë dhe bekoi lokalet e reja të Qendrës për sëmundjet e shtyllës kurrizore.
Pastaj vizitoi edhe Repartin e Terapisë Intensive. Si kreu vizitën në katin e pestë,
u ngjit në katin e shtatë, ku vizitoi Ambulancën e Institutit Shkencor Ndërkombëtar
“Pali VI” për kërkime shkencore, diagnostikim e mjekim të shterpësisë bashkëshortore. Në
përfundim, zbriti në sallën e pritjes, në hyrje të Poliklinikës, ku u takua me fëmijët
e shtruar në reparte të ndryshme, me prindërit e tyre e me personelin e spitalit,
të cilëve u drejtoi një përshëndetje të shkurtër, që nisi me një pyetje: “Pse erdha
këtu, mes jush, sot, ditë në të cilën nisim kremtimin e Solemnitetit të Dëftimit të
Zotit? Para së gjithash, për t’ju falënderuar – vijoi Papa - duke iu drejtuar
fëmijëve, që e pritën gjithë entuziazëm, e duke i siguruar se i do fort, se dëshiron
t’u japë forcë për të përballuar sëmundjen e për t’u kthyer përsëri, plot gëzim, në
jetën e përditshme. Më pas Benedikti XVI falënderoi edhe prindërit për vetmohimin,
e mjekët, për kompetencën, durimin e dashurinë e krishterë që tregojnë gjithnjë ndaj
vocrrakëve të sëmurë, të cilët kanë nevojë më shumë se të tjerët, për ngrohtësi shpirtërore: “Të
dashur fëmijë – kujtoi Papa – erdha për t’u ngjarë paksa edhe Mbretërve Dijetarë,
që i kremtojmë në Festën e Dëftimit të Zotit: ata i sollën Jezusit dhurata – ar, kem
e mirrë - për t’i treguar adhurim e dashuri. Edhe unë sot ju solla ca dhurata, që
ta ndjeni, përmes një shenje të vogël, simpatinë, afërsinë e dashurinë e Papës, duke
ju kujtuar, sidomos, se dhuratën më të madhe ia bëri Zoti secilit nga ne”. Ati
i Shenjtë u priu simbolikisht fëmijëve, për disa çaste, në Shpellën e Betlehemit,
duke u drejtuar pyetje të reja: “Shikojmë në Shpellën e Betlehemit, po kë shohim?
Kë takojmë? Shikojmë aty Marinë e Jozefin, por sidomos, një Foshnjë të vogël, që ka
nevojë për vëmendje, kujdes, dashuri; është Jezusi, vetë Zoti, që erdhi mbi tokë për
të na treguar sa fort na do”. E pasi përshkroi atmosferën mahnitëse të Shpellës
së Betlehemit, duke vijuar me përshëndetjet drejtuar gjithë personelit të spitalit
si dhe të gjitha institucioneve, që vihen në shërbim të jetës, Papa e mbylli fjalimin
e tij të shkurtër, me fjalë falënderimi e dashurie: “Ju falënderoj edhe një
herë të gjithë. Papa ju do fort!” Rreth orës 19. 00 Benedikti XVI u largua
nga Poliklinika, për t’u rikthyer në Vatikan, ku nesër do të kryesojë kremtimet e
solemnitetit të Dëftimit të Zotit, për t’i mbyllur, më pas, të gjitha kremtimet e
mëdha të dimrit, me solemnitetin tjetër të madh, Pagëzimin e Jezusit.