2011-01-05 16:55:20

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: “Krishtlindja është mister i pranisë reale të Zotit ndër njerëz, e jo festë e mallit për të kaluarën.


Krishtlindja nuk është festa e kujtimeve dhe e sentimentalizmave, por është mister, që e bën të gjallë, këtu e tani, praninë e ndritshme të Hyjit të mishëruar. Benedikti XVI kremtoi sot paradite audiencën e parë të përgjithshme të vitit të ri 2011, në Sallën e Palit VI, me një reflektim të thellë, kushtuar periudhës liturgjike, që po jeton këto ditë Kisha. Një festë - shpjegoi Papa - që lidhet ngusht me vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit.

Pelenat e grazhdit e çarçafi i vdekjes nuk janë shumë larg njëri-tjetrit. Madje, Shpella e Betlehemit e Golgota lidhen pazgjidhshmërisht, si pjesë të një plani, që çon në shëlbim e që duhet kuptuar qartë. Benedikti XVI u priu gradualisht besimtarëve të pranishëm në Sallën e Palit VI, drejt epiqendrës së dy mistereve, duke pohuar se Nata e Krishtlindjes lidhet thellësisht me Natën pa gjumë të Pashkëve. Kjo nuk mund të mos e mahnisë çdo njeri, e prandaj - theksoi Papa - Krishtlindja, sot, si asokohe kur Zoti zbriste nga qielli, të mrekullon më shumë se të gjitha festat e tjera të mëdha të Kishës:
“Të mrekullon, sepse të gjithë, në një farë mënyre, e marrin me mend se lindja e Krishtit lidhet me dëshirat e shpresat më të thella të njeriut. Konsumizmi mund ta shkëpusë nga kjo nostalgji shpirtërore, por për zemrat përplot me dëshirën për ta mikpritur këtë Foshnjë, risi e Hyjit; këtë Fëmijë, që erdhi për ta dhuruar plotësisht jetën, vezullimet e zbukurimeve të Krishtlindjes mund të bëhen pasqyrim i Dritës së ndezur me mishërimin e Zotit”.
Të krishterët shikojnë shumë më përtej vezullimeve të festës. Shikojnë pikërisht atë, që ndodhi në natën e njerëzimit, ngjarjen më të pangjarë, çastin kur korpi njerëzor u bë mjet i shëlbimitt tonë, në një kohë të caktuar, kohë që e kapërcen të kaluarën, për t’u bërë aktuale, në hapësirën e së sotmes:
“Të kremtosh ngjarjet e mishërimit të Birit të Hyjit nuk do të thotë thjesht të kujtosh fakte të së kaluarës, por t’i bësh të pranishme këto mistere, mbartëse të shëlbimit. Në liturgji, në kremtimin e Sakramenteve, këto mistere bëhen aktuale, plot vlerë për ne, sot. Në Kushtetutën mbi liturgjinë, Koncili II i Vatikanit nënvizon se vepra e shëlbimit, e kryer nga Krishti, vijon në Kishë përmes kremtimit të mistereve të shenjta, për virtyt të Shpirtit të Zotit”.
Duke cituar disa herë Papën Leoni i Madh, i cili e përshkroi Krishtlindjen me fjalët më të bukura, që përdori ndonjëherë penda njerëzore, Benedikti XVI vijoi shpjegimin, nga misteri, në mister. Krishtlindja – theksoi - nuk është një ngjarje e veçuar, por fillim i misterit kryesor të shëlbimit, që arrin kulmin me mundimet, vdekjen e ngjalljen e Krishtit. E më pas, shpjegoi edhe pse është pikërisht kështu:
“Sepse Jezusi nis ta dhurojë vetveten për dashuri, që nga çasti i parë i jetës së tij njerëzore në kraharorin e Virgjërës Mari (...). Mishërimi e Pashkët nuk janë krejt pranë e pranë, por mbeten dy pika kyçe, të pandara, të të njëjtit besim në Jezu Krishtin, Birin e Hyjit të Mishëruar e Shpërblyes. Kryqi e Ringjallja nuk mund të kuptohen pa Mishërimin”.
Një mister tejet i lartë e tronditës. E simbolet e kremtimeve të Krishtlindjes, që kujtohen në leximet e lutjet e solemnitetit, i japin liturgjisë së kësaj Kohe, domethënien e thellë të dëftimit të Hyjit në Krishtin, në Fjalën e vet të Mishëruar, domethënien e manifestimit, me kuptim eskatologjik, që na çon drejt mbarimit të kohëve, përmbushjes së tyre e përurimit të kohës së re. Prandaj duhen krasitur nga çdo lexim a kuptim i gabuar:
“Kremtimi liturgjik i Krishtlindjes, nuk është vetëm një kujtim, por, mbi të gjitha, është mister, është prani (...) duhet ta shpëtojmë kohën e Krishtlindjes nga ngjyrimi teper moralistik e sentimental. Kremtimi i Krishtlindjes nuk na propozon vetëm shembuj për t’u ndjekur, si përvujtërinë e varfërinë e Zotit, dashamirësinë e dashurinë e Tij për njerëzit; por është edhe ftesë për ta lëshuar veten në duart e tij, që të na shndërrojë plotësisht, Ai, që u bë si ne, njeri me mish e gjak”.
Pas katekizmit dhe përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI e përfundoi audiencën me një mendim për Dëftimin e Zotit, solemnitet që do të kremtohet nesër e që, ndër shqiptarë, njihet edhe si Festa e Ujit të Bekuar, duke uruar që shembulli i shtegtimit të Mbretërve Dijetarë drejt Krishtit, të ushqejë dëshirën për ta takuar Jezusin e për t’ua kumtuar të gjithëve gëzimin, që buron nga Ungjilli i tij:“Ju bëj përsëri, nga zemra, ju e gjithë të dashurve tuaj, urimet më të sinqerta për Vitin e Ri. Gëzuar festën e Dëftimit të Zotit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.