2011-01-04 16:02:43

Të ruajmë pasuritë e gjithësisë për të gjithë: ndjeti i lutjes së Papës për muajin janar


(04.01.2011 RV)“Të lutemi që pasuritë e gjithësisë të mbrohen, të vlerësohen e të jenë në dispozicion të të gjithëve, si dhuratë e çmuar e Zotit për njerëzit”: ky është ndjeti i përgjithshëm i lutjes së Papës Benedikti XVI për muajin janar. Mbrojtja e ruajtja e ambientit është një temë, që Ati i Shenjtë e ka shumë për zemër e për të cilën ka folur edhe në Enciklikën “Caritas in Veritate”, por jo vetëm atje.
“Nëse do të kultivosh paqen, mbroje gjithësinë”: ky ishte mesazhi i Ditës Botërore të Paqes për vitin e kaluar, një dokument, në të cilin Papa u bën thirrje njerëzve të forcojnë “atë aleancë ndërmjet njeriut e ambientit, që duhet të jetë pasqyrë e dashurisë krijuese të Zotit, nga i cili vijmë e tek i cili do të shkojmë”. Benedikti XVI u kërkon njerëzve të sillen me përgjegjësi në shfrytëzimin e burimeve natyrore:
“Njerëzimi e ka për detyrë ta mbrojë këtë thesar e të impenjohet kundër përdorimit pa kriter të pasurive të tokës. Pa kufi etikë e moralë, sjellja e njeriut mund të shndërrohet në kërcënim e sfidë… Të mësojmë si të respektojmë ambientin do të thotë të mësojmë edhe si të respektojmë të tjerët e vetveten” (Dita botërore e turizmit, 27 shtator 2008).
Zhvillimi njerëzor duhet të jetë i përgjithshëm, thekson Papa në Enciklikën “Caritas in Veritate” e për këtë është e nevojshme që njerëzit ta ndryshojnë mënyrën e jetesës. Ata duhet të kenë më tepër respekt për Gjithësinë e më tepër kujdes për brezat e ardhshëm:
“Duhet të synojmë, vërtet të gjithë sëbashku, drejt një ekuilibri të ri ndërmjet bujqësisë, industrisë dhe shërbimeve, që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm, që askujt të mos i mungojë buka dhe puna, si edhe që ajri, uji e lëndët e tjera të para të ruhen e të mbrohen si pasuri universale (cit. Enc. “Caritas in Veritate”, 27)” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 14 nëntor 2010)
Mëse një herë, gjatë periudhës së krizës ekonomike, Papa kërkon të rishikohet thellësisht modeli i zhvillimit ekonomik global. Mbrojtjes së Gjithësisë i kushton krejt katekizmin e audiencës së përgjithshme të 26 gushtit 2009. Kisha, nënvizon Benedikti XVI, impenjohet në ruajtjen e tokës, të ujit e të ajrit, për ta mbrojtur njeriun nga vetëshkatërrimi:
“Fenomenet e ndryshme të degradimit ambiental dhe fatkeqësitë natyrore, që regjistrohen jo rrallë nga kronika, na tregojnë sa urgjent është respektimi i natyrës, përmes vlerësimit në jetën e përditshme të marrëdhënieve korrekte me ambientin” (Audienca e përgjithshme, 26 gusht 2009).
Bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë e vedeve të botës duhet të japin shenja konkrete se e kanë kuptuar si duhen përdorur burimet natyrore, duke kundërshtuar shfrytëzimin e tyre në dëm të popullsisë së globit, thekson Papa:
“Kostoja ekonomike dhe shoqërore, që rrjedh nga përdorimi i pasurive natyrore të përbashkëta, duhet të pranohet haptas dhe duhet paguar nga ata që i shfrytëzojnë e jo nga popullsi të tjera, ose nga brezat e ardhshëm. Mbrotja e ambientit, kujdesi për burimet e për klimën u kërkojnë përgjegjësve ndërkombëtarë të veprojnë sëbashku për të respektuar ligjin dhe solidaritetin, sidomos ndaj rajoneve më të varfëra të tokës” (Audienca e përgjithshme, 26 gusht 2009).
Thirrja e Benediktit XVI bëhet edhe më e fuqishme në prag të hapjes së Konferencës së OKB-së mbi ndryshimet e klimës, në Kopenhagen, në dhjetor 2009:
“Mbrojtja e gjithësisë kërkon mënyra jetese të thjeshta e të përgjegjshme, sidomos ndaj të varfërve e brezave të ardhshëm. Në këtë perspektivë, për të garantuar suksesin e plotë të Konferencës, i ftoj të gjithë njerëzit vullnetmirë të respektojnë ligjet, që Zoti ka vendosur për natyrën e të rizbulojnë përmasën morale të jetës njerëzore” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 6 dhjetor 2009).







All the contents on this site are copyrighted ©.