2011-01-04 16:04:07

Më 5 janar bie 456 vjetori i botimit të Mesharit të dom Gjon Buzukut


Më 5 janar shënojmë 456 vjetorin e botimit të Mesharit të dom Gjon Buzukut. Më 5 janar 1555 prifti katolik shqiptar dom Gjon Buzuku e përfundoi së shkruari Mesharin e tij, që deri më sot njihet si vepra e parë e llojit dhe njëkohësisht si i pari monument letrar i botuar në gjuhën shqipe.
Vetë autori, don Gjon Buzuku shkruan në pasthënien e Mesharit se e mbaroi “së shkruami” veprën më 5 janar 1555.
Siç pohuam, deri më sot nuk njihet një tjetër libër më i vjetër, i shtypur, në gjuhën shqipe, veç kësaj vepre, shkruar e botuar në rrethana që ende sot janë mjaft të diskutueshme. Sidoqoftë vepra e Mesharit mbetet monument i përpjekjes së klerit të krishterë shqiptar për ta shpëtuar popullin nga rreziku i tjetërsimit e humbjes së identitetit kombëtar e shpirtëror, për ta mbajtur të lidhur fort me dritën e Shëlbimit të Krishtit dhe me dritën e qytetërimit perëndimor.
Meshari i Buzukut, siç thekson vetë autori, u botua sepse “gjuha jonë nukë kish gjaa të endigluem en sëh shkruomit shenjtë” - nuk kishte, pra asnjë përkthim të Shkrimit Shenjt”, por kryesisht “en sëh dashunit së botës sënë” - nga dashuria për popullin e vet. Kështu, dom Gjon Buzuku na jep të dhëna për kohën e tij se në gjuhën shqipe, pra në gjuhën e popullit, ndjehej mungesa e shkrimeve, libra e shkrimeve nga Bibla e mbi fenë e krishterë, për ta njohur e edukuar popullin në fenë e vet.
Prandaj, i nxitur nga nevoja e madhe baritore dhe i frymëzuar nga llojet e librave liturgjike që qarkullonin në kohën e tij, dom Gjon Buzuku bën një përgatitje dhe përpilon një libër me pjesë të ndryshme të liturgjisë e të biblës, që shërbenin në rend të parë për priftërinjtë për kremtimin e Meshës e të Sakramenteve tjera apo për lutjet e tyre të përditshme. Siç dihet, mjerisht, kësaj vepre, Mesharit, i mungojnë disa faqe: atë të fillimit e disa tjer aty këtu brenda vetë librit.
Meshari i Buzukut është kryesisht përkthim por ka edhe pjesë autentike të shkruara nga dom Gjon Buzuku si dhe nga priftërinjtë tjerë shqiptarë si dom Gjergji, dom Marku, dom Pjetri e tjerë, siç dëshmohet brenda disa faqeve të kësaj vepre.
Meshari i Buzuku është libër liturgjik të cilin mund ta krahasojmë e këndej quajmë COMES, apo Epistolar, Leksionar siç i quanin liturgjistët e mesjetës librat që përmbanin pjesë të Biblës e lutje të ndryshme për t’u lexuar në Meshës gjatë vitit liturgjik kishtar, gjatë kremtimit të Sakramenteve e tjera, çka përmban edhe Meshari i Buzukut. Në të vërtet në këtë vepër COMES kemi: Oficen e Zojës, Shtatë Psalmet pendestare, Litanitë e Shenjtorëve, disa pjesë të Ritualit (mbi Sakramentin e Martesës), Urdhërimet e Zotit dhe pjesë tjera të katekizmit e Meshët, për tërë vitin e liturgjisë kishtare, ndër festa të luajtshme e të paluajtshme.
Së fundi nënvizojmë se vepra e Mesharit të Buzukut është zbuluar për herë të parë në vitin 1740 në Kongregatën e Propagandës së Fesë në Vatikan nga një tjetër prift katolikë shqiptar, dom Gjon Kazazi, i biri i Nikollë Kazazit nga Gjakova.
Vështirë të përmbledhësh në pak rreshta vlerën e një libri me histori të veçantë, prej të cilit ka mbetur vetëm një kopje, që ruhet në bibliotekën Apostolike të Vatikanit, të cilit studiues të shumtë i kanë kushtuar studimet e tyre si Atë Justin Rrota, M. Roques, G. Schiro, G. Petrotta, N. Jokli , , E. Çabej, I. Zamputi, C. Tagliavini, N. Resuli, M. Camaj ,E. Sedaj, V. Putaneci, T. Lladani e tjerë.
Së fundi nënvizojmë se vepra e Mesharit të Buzukut është zbuluar për herë të parë në vitin 1740 në Kongregatën e Propagandës së Fesë në Vatikan nga një tjetër prift katolikë shqiptar, dom Gjon Kazazi, i biri i Nikollë Kazazit nga Gjakova.







All the contents on this site are copyrighted ©.