2011-01-04 18:29:38

Myslimanë, të krishterë dhe hebrenj dënuan atentatin e Aleksandrisë në Egjipt: Asnjë fe nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën


(04.01.2011 RV)“Hedhim poshtë çdo formë terrorizmi, ashtu siç hidhet poshtë nga feja islamike, dhe ftojmë për tolerancë e respekt ndërmjet qytetërimeve dhe feve të ndryshme, në veçanti për mbrojtjen e jetës”: këto janë fjalët e letrës së shkruar nga mbreti i Marokut, Muhamet VI, kreu shpirtëror i vendit, për presidentin e Republikës së Egjiptit, Hosni Mubarak. Në të lexohet indinjata, shqetësimi dhe dënimi për sulmin terrorist, që natën e 31 dhjetorit 2010 goditi kishën kopte ortodokse të Aleksandrisë. Dënim unanim, që bashkon të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët. Por ndoshta, pikërisht nga bota myslimane vjen keqardhja më e thellë, pasi edhe vetë myslimanët e kanë kuptuar se dhuna e fondamentalistëve po e kalon çdo kufi.
“Është një sulm kriminal, pavarësisht nga kush e ka shkaktuar, për t’u dënuar ashpër, pasi me asnjë motiv – pohon Federata e organizatave islamike të Evropës - nuk justifikohet vrasja e njerëzve të pafajshëm, dhunimi i shenjtërisë së vendeve të kultit dhe terrorizimi i njerëzve”. Me këtë ton kanë folur edhe myftiu i Egjiptit, Bashkimi i komuniteteve islamike të Italisë e shumë liderë të tjerë myslimanë.
Këshilli Ekumenik i Kishave flet për “sulm të tmerrshëm kundër besimtarëve të pafajshëm” dhe i bën thirrje presidentit egjiptian, Mubarak të veprojë me shpejtësi për të mbrojtur të drejtat themelore të besimtarëve të të gjitha feve.
Primati i Kishës anglikane, Rouan Uiliams siguroi lutje dhe mbështetje për të krishterët në Egjipt, plot besim se shumica e popullit egjiptian e dënon dhunën kundër të krishterëve. Sipas Patrikut të Moskës e të të gjithë Rusive, Kirill, plani i terroristëve nuk ka të bëjë aspak me fenë dhe ka për qëllim vetëm objektiva politike.
Dënon dhunën edhe bashkësia hebraike e Romës. Presidenti, Rikardo Paçifiçi dhe kryerabini Rikardo Di Senji deklaruan se lajme si ato të Egjiptit “na imponojnë të mos qëndrojmë indiferentë para tragjedisë së të krishterëve në vende që shkojnë nga Sudani në Nigeri, nga Iraku në Gaza”, duke nënvizuar shqetësimin për kushtet e tmerrshme në të cilat jetojnë disa bashkësi të krishtera në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.