2011-01-04 15:26:26

Kardinali Dias në Vietnam për kremtimet e mbylljes së Jubileut të Kishës vendore.


Kardinali Ivan Dias, Prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, vizitoi sot Shenjtëroren e Zojës së Bekuar në La Vang, si i dërguar i veçantë i Papës Benediktit XVI, në kremtimet për mbylljen e Vitit Jubilar të Kishës në Vietnam. Kremtimet përfundimtare të Vitit Jubilar do të zgjasin deri më 6 janar ditën e solemnitetit të Dëftimit të Zotit.
Një treditësh lutjeje falënderimi për tre shekuj e gjysmë të pranisë së Ungjillit në Vietnam. Kaq është e lashtë historia e krijimit të dy Vikariateve apostolike, Dang Trong e Dang Ngoia në Shtetin aziatik, që mundësuan depërtimin, mbjelljen e rritjen e farës së Kishës lokale, e cila lulëzoi dhe para 50 vjetësh arriti deri në themelimin e hierarkisë katolike në këtë vend. Edhe ky përvjetor i fundit është pjesë e këtij Jubileu të përmendur që u hap sot para të dërguarit papnor, kardinalit Ivan Dias, e që ka “zemrën” e vet në Shenjtëroren e lashtë të Zojës së Bekuar në La Vang, që ka rëndësi të jashtëzakonshme historike fetare e kombëtare. Këtu, në mbarim të shekullit XVIII, Zoja e Bekuar iu dukë një grupi katolikësh të cilët qenë të detyruar ta braktisnin qytetin për shkak të persekutimit që rëndohej e ashpërsohej gjithnjë më tepër kundër tyre. Këta katolikë qenë akuzuar si bashkëpunëtorë të mbretit të kohës e si përgjegjës për praninë franceze në tokën e Vietnamit, e prandaj vendosen të strehoheshin në pyllin e La Vang, duke përballuar urinë, sëmundjet e shtazët e egra. Gjatë një lutjeje të Rruzares së Shenjtë, ndaj së cilës kishin një përshpirtëri të veçantë, atyre iu dukë për herë të parë Virgjëra Mari, e rrethuar nga dy engjëj e me Foshnjën Hyjnore në krah, e rreth saj një vegim me shenja të jashtëzakonshme. Nga ai moment, Shenjtërorja e La Vangut u bë një nga vendet më të njohura mariane të Azisë e më 1961 Papa Gjoni XXIII e lartoi në rangun e Bazilikës Minore.
Me rivendosjen e regjimit komunist në Jug të Vietnamit, territori i Shenjtërores qe konfiskuar nga qeveria, mirëpo përshpirtëria popullore vazhdoi pandërprere të shfaqet me forcë, e më 1998, me rastin e 200 vjetorit të Shfaqjes së parë të Zojës, asokohe, mbi dyqind mijë besimtarë katolikë shkuan në Shenjtërore për të nderuar Pajtoren e tyre qiellore e kremtuar përvjetorin e dukjeve të Virgjërës Mari, duke sfiduar ndalimin e autoriteteve shtetërore.
Kohëve të fundit, në saje të vendimit qeveritar, gati i tërë territori i konfiskuar i është kthyer kryedioqezës së Huè-së, që ka paraqitur projektin për ndërtimin e një Bazilike të re e më të madhe, falë mbështetjes së katolikëve të Vendit e atyre të diasporës.
Ndër liturgjitë eukaristike e pendestare të këtyre ditëve jubilare, shënohet posaçërisht bekimi i gurit të parë të themelit të tempullit të ri, që emër të Papës do të bekohet nga kardinali Dias, duke shënuar kështu edhe mbylljen e një viti jubilar plot hir e bekim për Kishën dhe për mbarë bashkësinë katolike të Vietnamit. Kujtojmë se Kisha katolike në Vietnam ka rreth tetë milionë besimtarë, të ndarë në mbi 2. 200 famulli kishtare, me 2.900 meshtarë, 10 mijë motra rregulltare, 1.500 seminaristë e 40 mijë katekist.







All the contents on this site are copyrighted ©.