2011-01-03 15:36:35

Benedikti XVI dënon sulmin në Egjipt, duke denoncuar një plan botëror kundër të krishterëve. Imami i Al-Azharit e akuzon për ndërhyrje në punët e brendshme.


(03.01.2011 RV)Atentati kundër të krishterëve në Egjipt ka shkaktuar reagime në gjithë botën, sidomos pas fjalëve të Papës Benedikti XVI në favor të të krishterëve të persekutuar. Solidarizohen me koptët të gjithë patrikët ortodoksë të globit, si edhe krerë shtetesh, qeverish e institucionesh. Imami i Al-Azharit, i qendrës më të rëndësishme të Islamit sunit, shkoi personalisht për t’i shprehur ngushëllimet kreut të Kishës kopte të Egjiptit, Shenuda III për 22 viktimat e atentatit kundër kishës së Aleksandrisë e për rreth njëqind të plagosurit, por e quajti të papranueshme ndërhyrjen e Atit të Shenjtë në punët e brendshme të Egjiptit. “Pse Papa nuk kërkoi edhe mbrojtjen e myslimanëve, kur masakroheshin në Irak?” – pyeti shehu Ahmed al-Tajeb. Qëndrimi i tij bën edhe më tepër përshtypje për faktin se imami konsiderohet njeri i dialogut, i pranishëm në gati të gjitha takimet ndërfetare. Fatkeqësisht, dhimbja, zemërimi e frika e bënë bashkësinë e krishterë kopte të reagojë me protesta e gurë kundër imamit, manifestime, që dje e sot, kanë shkaktuar rreth 40 të plagosur në ndeshjet me policinë. Të dëgjojmë deklaratën e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:

“Në deklaratën zyrtare të Imamit të Madh të Al-Azharit, ai dënoi fuqishëm atentatin dhe shkoi personalisht për t’i shprehur ngushëllimet Papës kopt Shenuda. Prandaj, nuk e konsideroj të nevojshme, në këtë çast kaq delikat, në të cilin të gjithë duhet të jenë të bashkuar kundër terrorizmit, të diskutohet mbi aspekte të tjera, kuptimi i të cilave nuk është i qartë.
Përsa i përket qëndrimit të Papës, ai është i qartë, si gjithnjë. Dënim i ashpër për dhunën, afërsi për bashkësinë e goditur kaq tmerrshëm, shqetësim për lirinë fetare të pakicave të krishtera, por në kuadrin e shqetësimit për lirinë fetare të të gjithëve, jo vetëm të të krishterëve, siç tha edhe në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes.
Papa e ka dënuar me mijëra herë dhunën ndaj të gjithëve e jo vetëm ndaj të krishterëve, mjafton të kujtojmë fjalimin e fundit para ambasadorit të ri të Irakut pranë Selisë së Shenjtë, në të cilin fliste pikërisht për viktimat e pafajshme të dhunës, si të krishterë, ashtu edhe myslimanë.
Në këtë çast, është i nevojshëm impenjimi i të gjithë përgjegjësve për luftën kundër terrorizmit e për sigurinë e popullsive; por edhe impenjimi i të gjithë veprimtarëve të paqes, të të gjitha feve e rrymave, për t’iu kundërvënë planit të dhunës, që qartësisht, ka për qëllim të përçajë, të zgjojë tension, urrejtje e konflikt. Pra, në asnjë mënyrë, solidariteti për të krishterët të mos bëhet rast për të ushqyer ndonjë konflikt ndërmjet feve, apo qytetërimeve, që do të ishte shkatërrues.
Ftesa e Papës për në Asizi, tetorin e ardhshëm, tregon vullnetin e tij për të theksuar këtë mesazh themelor: në emër të Zotit, nuk mund të bëhet luftë, por vetëm paqe.
Për ditët e ardhshme, kujtojme se më 6 e 7 janar, të krishterët koptë kremtojnë Krishtlindjen. Të bashkohemi solidarë me ta, në vuajtjen e në lutjen për paqen e të gjitha bashkësive të tyre”.

 
Është e vështirë të shohësh në thirrjet e Papës, ndërhyrje në punët e brendshme apo indiferencë ndaj dhunës kundër myslimanëve, por, është e vërtetë se fjalët e Benediktit XVI tregojnë për rritjen e shqetësimit në kryesinë e Kishës. Papa nuk ka folur kurrë kaq haptas për një strategji kundër ndjekësve të Krishtit. Për këtë arsye, të bën përshtypje që u lajmërua tani takimi i krerëve të feve botërore në Asizi, tetorin e ardhshëm, për të “rinovuar solemnisht impenjimin e besimtarëve të çdo feje, që ta jetojnë besimin e tyre fetar si shërbim për çështjen e paqes”.
Rasti jepet nga 25-vjetori i të njëjtit takim, filluar me Papën Gjon Pali II më 1986. Atë vit, bota jetonte me ankthin e rrezikut të luftës bërthamore. Në takimet e mëvonshme, gjithnjë në praninë e Papës Vojtila, më 1993 e më 2002, njerëzimi përjetonte luftën në ish-Jugosllavi e më pas, rrezikun e “ndeshjes ndërmjet qytetërimeve”, pas atentatit të 11 shtatorit kundër Kullave Binjake.
Kësaj radhe, Benedikti XVI dëshiron të jetë i pranishëm në takimin e Asizit e kjo tregon se Papa e konsideron gjendjen botërore “kritike”. Kështu, para atyre që e përdorin fenë për të ushqyer urrejtje, përçarje e terror, i bën thirrje njerëzimit të punojë në favor të lirisë fetare, duke i ftuar krerët e feve të ndihmojnë në arritjen e paqes, duke mënjanuar fondamentalizmin dhe regjizorët e tij të fshehtë.
Të dëgjojmë reflektimin e kryetarit të dikasterit vatikanas për Dialogun Ndërfetar, kardinali Zhan-Lui Turan:
“Fjala që më ka ardhur ndër mend këto ditë është “poshtërsi”, sepse jemi para perversionit të fesë. Asnjë fe nuk mund të justifikojë një veprim të tillë, pasi ai prek burra e gra, që luten e që shprehin kështu, përmasën më fisnike të qenies njerëzore. Ky ishte reagimi im i parë. Pastaj, mendoj se duhen shmangur dy gjëra: inati, që është gjithnjë këshilltar i keq, dhe indiferenca. Ashtu siç pati thënë Gjon Pali II me rastin e krizës në Ballkan: “Nuk kemi të drejtë të qëndrojmë indiferentë”. Por, cila është zgjidhja? Zgjidhja është dialogu. Thuhet shpesh: “Pa shih se ku ju çoi dialogu juaj! Këto janë rezultatet!”. Vetëm se ne jemi para forcave të së keqes dhe, mbi të keqen fitohet vetëm me të mirën. Kjo do të thotë që dialogu duhet intensifikuar, siç tha Papa në mesazhin për Ditën Botërore të Paqes, duke cituar Palin VI: “Para së gjithash, është e nevojshme t’i japim paqes armë të ndryshme nga ato, që destinohen për vrasjen e shfarosjen e njerëzimit”. Para së gjithash, janë të nevojshme armët “morale”, që i japin forcë e prestigj së drejtës ndërkombëtare, duke filluar nga zbatimi i marrëveshjeve. Prandaj, të përpiqemi t'i zbatojmë në praktikë të gjitha deklaratat e bukura të përbashkëta, që kemi bërë!”







All the contents on this site are copyrighted ©.