2011-01-01 15:46:46

Në tetor, Papa do të jetë në Asizi me krerët e feve botërore, 25 vjet pas takimit historik të 1986-ës


(01.01.2011 RV)Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar pak çaste pas Meshës, Papa zhvilloi më tej mendimet e shprehura në homeli. Theksoi me forcë se është dramatikisht urgjente sfida e sigurimit të lirisë fetare në epokën tonë. Duke shikuar nga dritarja e studios së tij turmën vigane në Sheshin e Shën Pjetrit, ku ishin mbledhur krah për krah pjesëmarrës të nismave të ndryshme, të gjitha në përkim me temën e Ditës Botërore të Paqes, posaçërisht anëtarët e Bashkësisë së Shën Egjidit, të Marshimit tradicional, organizuar në Ankonë nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane, nga Pax Christi e nga Karitasi, Benedikti XVI ripohoi konceptin themelor të papnisë së tij: sot – tha - nga njëra anë vepron laicimi që, në mënyrë shpesh herë djallëzore, e ndrydh fenë, për ta kufizuar në sferën private, ndërsa nga ana tjetër, fondamentalizmi, që do të dëshironte t’u imponohej të gjithëve me forcë. Prej këndej Papa vërejti:
“Atje ku njihet me të vërtetë liria fetare, ku dinjiteti i njeriut respektohet në rrënjë e, përmes kërkimit të sinqertë të së vërtetës e të së mirës, fuqizohet vetëdija morale, forcohen edhe vetë institucionet e bashkëjetesa civile. Prandaj liria fetare është rruga e privilegjuar për të ndërtuar paqen”.
Pas këtij pohimi, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa bëri një njoftim të papritur. 25 vjet pas takimit të paharrueshëm ndërfetar, që pati mbledhur Gjon Pali II në Asizi, në vitin 1986, Benedikti XVI komunikoi se do ta kremtojë në të njëjtën mënyrë këtë ngjarje, sepse – vërejti - kush vihet për udhë drejt Zotit, nuk mund të mos ua përcjellë edhe të tjerëve frymën e paqes, e kush punon për paqen, nuk mund të mos i afrohet Zotit:
“Prandaj, në tetorin e ardhshëm, do të nisem si shtegtar në qytetin e Shën Françeskut, duke i ftuar të bashkohen në këtë udhë vëllezërit e krishterë të konfesioneve të ndryshme, anëtarët e traditave fetare të botës e, simbolikisht, të gjithë njerëzit vullnetmirë, për të kujtuar këtë gjest historik të Paraardhësit tim e për të përsëritur solemnisht zotimin e besimtarëve të të gjitha feve që ta jetojnë besimin fetar si shërbim për kauzën e paqes”.
Në përfundim të lutjes, Papa përshëndeti posaçërisht pjesëmarrësit në takimin e organizuar nga anëtarët e “Lëvizjes Familjare”, që e kaluan gjithë natën e ndërrimit të viteve në Sheshin e Shën Pjetrit, me lutje e këngë të përshpirtshme.
E, më pas, një urim i dalë nga zemra:
“Gëzuar Vitin e Ri, gëzuar, të gjithëve!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.