2011-01-01 15:46:27

Benedikti XVI në Meshën e Solemnitetit të Nënës së Zotit: kombet të impenjohen për paqen, kundër luftërave, fytyrë e lemerishme e historisë.


(01.01.2011 RV)Fjalët nuk mjaftojnë, kombet duhet të impenjohen, me frymë të re, për paqen, që njerëzimi të mos tmerrohet më nga vuajtjet e padurueshme të luftës. Është një nga mendimet kryesore, shprehur sot paradite nga Benedikti XVI gjatë homelisë së Solemnitetit të së Shenjtnueshmes Virgjër Mari, Nënë e Zotit, kryesuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Duke kujtuar Ditën e 44-t Botërore të Paqes me temë “Liria fetare, rrugë për paqen” Papa bëri thirrje për mbrojtjen e të krishterëve, gjithnjë më shpesh viktima të diskriminimeve të dhunshme.
Më pas, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, njoftoi se, tetorin e ardhshëm, do të shkojë për vizitë në Asizi, për të kremtuar 25 vjetorin e takimit historik ndërfetar, në të cilin Papa Gjon Pali II pati mbledhur, në vitin 1986, krerët e të gjitha feve botërore.

 
Paqja, që na dhuroi Zoti me Birin e vet, rrezikohet çdo ditë nga luftërat, fytyra më e lemrishme e historisë. Mbi botën vijojnë të dynden retë e zeza të dhunës, që rrezikon popuj të tërë e, ndërmjet tyre, bashkësitë e krishtera, tepër shpesh të diskriminuara. Prandaj, fjalët nuk mjaftojnë; duhet që kombet ta tregojnë me vepra se duan të punojnë me frymë të re paqësore.
Në Bazilikën vigane, plot me aromën e temjanit e me ritmet e pakohë të kremtimit solemn marian, me të cilin tradicionalisht hapet viti i ri, Benedikti XVI u priu atyre, që e dëgjonin, drejt e në zemër të kohës, e cila bëhet kronikë e, gjithnjë më shpesh, dramë e tragjedi. Gjatë homelisë, Papa foli për qiellin, prej nga – tha- vjen paqja, dhuratë mesianike, shenjë e mirësisë së Zotit për njeriun dhe e ndërmjetësisë së vazhdueshme të Nënës së Zotit – e për planetin, i cili gjithnjë më shpesh sundohet nga logjika e luftërave, kundër të cilave Kisha ngre zërin prej më se 40 vjetësh, në ditën e parë të çdo viti, për t’i drejtuar Zotit një korale lutjesh për paqen:
“Është mirë ta hedhësh hapin e parë të vitit të ri, me vendosmërinë për të kërkuar udhën e paqes. Sot dëshirojmë të mbledhim në një, britmat e shumë burrave, grave, fëmijëve e pleqve, viktima të luftës, që është fytyra më e tmerrshme e më e dhunshme e historisë. Ne sot lutemi që paqja të arrijë kudo. Prandaj, posaçërisht me lutjen tonë, dëshirojmë të ndihmojmë çdo njeri e çdo popull, në mënyrë të veçantë, ata që kanë përgjegjësinë e drejtimit, të ecin në mënyrë gjithnjë më të vendosur në udhën e paqes”.
Që kjo të bëhet realitet, nuk duhet harruar se bota ka nevojë për Zotin. Ka nevojë për vlera etike e shpirtërore universale, të pranuara nga të gjithë, e feja mund të japë një kontribut të çmuar në kërkimin e tyre, për ndërtimin e një rendi shoqëror e ndërkombëtar të drejtë e paqësor. Një konsideratë, kjo, të cilën Benedikti XVI e lidhi me atë, që e pohon edhe në mesazhin e tij për Ditën e sotme Botërore të Paqes, me temë: “Liria fetare, udhë për paqen”:
“Nënvizova, prandaj – vijoi Ati i Shenjtë - se “liria fetare është element i domosdoshëm i shtetit të së drejtës”: nuk mund të mohohet, pa prekur njëkohësisht të gjitha të drejtat e liritë themelore, duke qenë sinteza e maja e tyre”.
E ndonëse ngjarjet e përditshme tregojnë se kjo liri shpesh dhunohet, Papa theksoi:
“Njerëzimi nuk mund të dorëzohet përballë forcës negative të egoizmit e të dhunës, nuk duhet të mësohet me konfliktet, që shkaktojnë viktima e vënë në rrezik ardhmërinë e popujve. Përballë tensioneve kërcënuese të çastit, posaçërisht përballë diskriminimeve, paudhësive e intolerancës fetare, që sot godet në mënyrë të veçantë të krishterët, edhe një herë bëj ftesë për të mos rënë në prehërin e dëshpërimit e të nënshtrimit”.
Prej këndej, një ftesë e re drejtuar Kishës, që radhitet gjithnjë në vijën e parë të frontit për paqen, duke i nxitur të gjithë besimtarët të luten për suksesin e përpjekjeve të ndërmarra nga anë të ndryshme, për të promovuar e për të siguruar paqen në botë, sepse:
“Për këtë detyrë të vështirë nuk mjaftojnë fjalët, duhet impenjim konkret e i përhershëm i drejtuesve të Kombeve, por është e nevojshme edhe, e sidomos, që çdo njeri të frymëzohet nga shpirti i vërtetë i paqes, që duhet lypur gjithnjë në lutje e duhet jetuar në marrëdhëniet e përditshme, në çdo mjedis”.







All the contents on this site are copyrighted ©.