2011-01-01 11:56:41

Ati i Shenjtë në solemnitetin e Marisë, Nënës së Zotit pohon: laicizmi e fondamentalizmi kërcënojnë lirinë fetare


(01.01.2011 RV)Të dashur vëllezër e Motra,
Ende të mbështjellë me atmosferën e Krishtlindjes, në të cilën kundruam misterin e lindjes së Krishtit, sot me të njëjtat ndjesi, kremtojmë Virgjërën Mari, që Kisha e nderon si Nënën e Zotit, sepse në trup të saj u mishërua Biri i Atit të Amshuar. Leximet biblike të këtij solemniteti vënë theksin, së pari, mbi Birin e Hyjit, që u bë njeri e mbi vetë “emrin” e Zotit. Leximi i parë na paraqet bekimin solemn, të cilin e shqiptonin priftërinjtë mbi izraelitët në festat e mëdha fetare: përmendej pikërisht emri i Zotit, i përsëritur tri herë, si për të shprehur përsosurinë dhe forcën, që buron nga një lutje e tillë. Ky tekst bekimi liturgjik, në të vërtetë, na kujton pasurinë e hirit e të paqes, që Hyji i jep njeriut, plot gatishmëri e dashamirësi ndaj tij e që shprehet me shkëlqimin e fytyrës hyjnore e me kthimin e saj nga ne.
Kisha i dëgjon rishtas sot këto fjalë, ndërsa i lutet Zotit ta bekojë vitin e ri të sapofilluar, me vetëdije se, përballë ngjarjeve tragjike, që lënë gjurmë në histori, përballë logjikave të luftës, që për fat të keq nuk janë kapërcyer plotësisht akoma, vetëm Hyji mund ta prekë shpirtin njerëzor në thellësi, t’i sigurojë shpresa e paqe njerëzimit.
Eshtë bërë traditë, tashmë, që në ditën e parë të vitit, Kisha, e përhapur në të katër anët e botës, të lartojë një lutje korale për të kërkuar paqe. Është mirë ta hedhësh hapin e parë të vitit të ri, me vendosmërinë për të kërkuar udhën e paqes.
Sot dëshirojmë të mbledhim në një, britmat e shumë burrave, grave, fëmijëve e pleqve, viktima të luftës, që është fytyra më e tmerrshme e më e dhunshme e historisë. Ne sot lutemi që paqja, të cilën engjëjt ua kumtuan barinjve natën e Krishtlindjes, të arrijë kudo “super terram pax in hominibus bonae voluntatis” (Lk 2,14). Prandaj, posaçërisht me lutjen tonë, dëshirojmë të ndihmojmë çdo njeri e çdo popull, në mënyrë të veçantë, ata që kanë përgjegjësinë e drejtimit, të ecin gjithnjë më të vendosur në udhën e paqes.
Në leximin e dytë, Shën Pali përmbledh gëzimin e njeriut, që bëhet bir i Hyjit, falë veprës së shëlbimit, kryer nga Krishti, në të cilën duket si e ngërthyer, figura e Marisë. Falë Asaj, Biri i Zotit, “i lindur nga gruaja” (Gal 4,4), mundi të vinte në botë si njeri i vërtetë, në kohën e caktuar. Një përmbushje e tillë e premtimeve, një caktim i tillë, ka të bëjë me të kaluarën e me pritjen mesianike, që realizohet, por njëkohësisht lidhet edhe me kohën e caktuar, në kuptimin e saj absolut: Fjala e mishëruar është edhe Fjala e mbrame e përfundimtare e Hyjit. Në prag të një viti të ri, kumbon kështu ftesa për të ecur me gëzim drejt dritës “së diellit që lind nga lart” (Lk 1, 78), sepse në perspektivën e krishterë, e gjithë koha banohet nga Hyji; nuk ka ardhmëri, që të mos shkojë në drejtim të Krishtit e nuk ekziston kohë e caktuar, jashtë asaj të Krishtit.
Fragmenti ungjillor i sotëm përfundon me vënien e emrit Jezusit, ndërsa Maria merr pjesë në heshtje, duke medituar në zemër të vet misterin e Birit të saj, që në mënyrë krejt të pashembullt, është dhuratë e Hyjit. Por perikopeja ungjillore vë posaçërisht në dukje barinjtë, të cilët u kthyen ‘duke lumnuar Zotin për gjithë ç’kishin parë e kishin dëgjuar” (Lk 2,20). Engjëlli u kishte kumtuar se në qytetin e Davidit, domethënë në Betlehem, kishte lindur Shëlbuesi e se do të gjenin shenjën: një fëmijë të mbështjellë në ndriza, të vënë brenda një grazhdi (cfr Lk 2, 11-12). Të nisur me ngut, ata patën gjetur Marinë, Jozefin e Foshnjen.
Vërejmë se ungjilltari flet për amësinë e Marisë, duke u nisur nga i Biri, nga foshnja, e mbështjellë në pelena, sepse është Ai – Fjala e Zotit (Gjn 1, 14), pika e referimit, qëndra e ngjarjes që po ndodh e vetëm përmes tij, amësia e Marisë cilësohet “hyjnore”.
Kjo vëmendje mbisunduese, që leximet e sotme i kushtojnë “Birit”, Jezusit, nuk e kufizon rolin e Nënës, madje e vendos në një perspektivë të drejtë: Maria është Nëna e vërtetë e Zotit, pikërisht për virtyt të lidhjes së saj të plotë me Krishtin. Prandaj, duke lumnuar Birin, nderohet Nëna, e duke nderuar Nënën, lumnohet Biri.
Titulli “Nëna e Zotit”, që vë sot në pah liturgjia, nënvizon misionin e pashembullt të Virgjërës së Shenjtë në historinë e shëlbimit: mision, që është në bazë të kultit e të devocionit të popullit të krishterë. Maria nuk e mori dhantinë e Zotit vetëm për vete, por për t’ia dhuruar botës: në virgjërinë e saj frytdhënëse, Hyji i dhuroi njerëzve të mirat e shëlbimit të amshuar (cfr Lutja).
E Maria është gjithnjë gati të ndërmjetësojë për popullin e Zotit, shtegtar në histori drejt amshimit, si ndërmjetësoi dikur për barinjtë e Betlehemit. Ajo, që i dha jetë tokësore Birit të Zotit, vijon t’u japë njerëzve jetën hyjnore, që është vetë Jezusi e Shpirti i tij i shenjtë. Prandaj konsiderohet nënë e çdo njeriu, që lind nga Hiri, e njëherësh lutet si Nënë e Kishës.
Pikërisht në emër të Marisë, Nënës së Zotit e të njerëzve, që nga 1 janari 1968, në mbarë botën kremtohet Dita Botërore e Paqes. Paqja është dhuratë e Zotit, siç e dëgjuam në leximin e parë: “Zoti të dhëntë paqe” (Nm 6,26). Është dhuratë e mirëfilltë mesianike, fryt i parë i dashurisë, që na dhuroi Jezusi, është pajtimi e paqëtimi ynë me Zotin. Paqja është edhe vlerë njerëzore, që duhet realizuar në planin shoqëror e politik, me rrënjë në misterin e Krishtit (cfr Conc. Vat. II Cost. Gaudium et spes, 77-90).
Në këtë kremtim solemn me rastin e Ditës së 44-t Botërore të Paqes, u drejtoj me kënaqësi përshëndetjen time plot respekt Zotërinjve të ndritur Ambasadorë pranë Selisë së Shenjtë, me urimet më të mira për misionin e tyre. Një përshëndetje të përzemërt e vëllazërore, pastaj, Sekretarit tim të Shtetit dhe drejtuesve të tjerë të Dikastereve të Kuries Romake, posaçërisht Kryetarit të Këshillit Papnor të Drejtësisë e të Paqes dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen time më të thellë për impenjimin e përditshëm në favor të bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve dhe për formimin gjithnjë më të shëndoshë të vetëdijes së paqes në Kishë e në botë. Në këtë perspektivë, bashkësia kishtare është gjithnjë më e impenjuar për të punuar sipas këshillave të magjisterit, për të ofruar një pasuri shpirtërore vlerash e parimesh, në kërkimin e vazhdueshëm të paqes.
Desha të kujtoj, në Mesazhin tim për Ditën e sotme, me titull “Liria fetare, rrugë për paqen” se: “Bota ka nevojë për Zotin. Ka nevojë për vlera etike e shpirtërore universale, të pranuara nga të gjithë, e feja mund të japë një kontribut të çmuar në kërkimin e tyre, për ndërtimin e një rendi shoqëror e ndërkombëtar të drejtë e paqësor” (N.15). Nënvizova, prandaj, se “liria fetare është element i domosdoshëm i shtetit të së drejtës”: nuk mund të mohohet, pa prekur njëkohësisht të gjitha të drejtat e liritë themelore, duke qenë sinteza e maja e tyre.
Njerëzimi nuk mund të dorëzohet përballë forcës negative të egoizmit e të dhunës, nuk duhet të mësohet me konfliktet, që shkaktojnë viktima e vënë në rrezik ardhmërinë e popujve. Përballë tensioneve kërcënuese të çastit, posaçërisht përballë diskriminimeve, paudhësive e intolerancës fetare, që sot godet në mënyrë të veçantë të krishterët (cfr ibid.,1), edhe një herë bëj ftesë për të mos rënë në prehërin e dëshpërimit e të nënshtrimit.
I nxit të gjithë të luten për suksesin e përpjekjeve të ndërmarra nga anë të ndryshme, për të promovuar e për të siguruar paqen në botë. Për këtë detyrë të vështirë nuk mjaftojnë fjalët, duhet impenjim konkret e i përhershëm i drejtuesve të Kombeve, por është e nevojshme edhe, e sidomos, që çdo njeri të frymëzohet nga shpirti i vërtetë i paqes, që duhet lypur gjithnjë në lutje e duhet jetuar në marrëdhëniet e përditshme, në çdo mjedis.
Në këtë kremtim eukaristik kemi parasysh, për nderimin tonë, figurën e Zojës së Malit Shenjt të Vigjianos, shumë e dashur për popullin e Bazilikatës. Virgjëra Mari na dhuron Birin e vet, na tregon fytyrën e Birit të vet, Princit të Paqes; ajo na ndihmoftë të ndriçohemi nga drita e kësaj Fytyre, që shkëlqen mbi ne (cfr Nm 6,25), për të zbuluar gjithë dashurinë e Hyjit Atë; ajo na ndihmoftë ta lusim Shpirtin Shenjt, ta rinojë faqen e tokës e t’i shndërrojë zemrat e ngurta, duke i zbutur përballë mirësisë çarmatosëse të Foshnjes, që lindi për ne. Nëna e Zotit na shoqëroftë në këtë vit të ri; nxjerrtë për ne e për mbarë botën, hirin e dhuratës aq të dëshëruar të paqes. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.