Viti i Ri dhuratë që Zoti na ofron për të dashur e ndërtuar paqen
Një Vit i Ri hap para nesh portat e kohës së vet: na dhuron: Kohë për të shëtitur
në brigjet e lumit duke shpërndarë erën e profumet e pranverës; për të ecur me
vendosmëri drejt realizimit të qëllimeve tona; për të vrapuar, që të arrijmë të
parët në cakun e dëshiruar; për të pushuar pakëz e për të shikuar ç'ngjet për rreth. Kohë
për të shëtitur e për të parë qiellin e qëndisur me yje; për të shkuar e për t'u
takuar me një mik; për të vrapuar, që ta ndjejmë veten më të fortë; për t'u
ndalur një të imtë e për të reflektuar. Kohë për të shtyrë një karrocë, nga pelenat
e së cilës qesh një foshnjë; për të ecur në një shteg të rrëpirët, për të vrapuar
që të takojmë të parët një mik, për t'u ndalur, sepse gjunjët nuk na mbajnë më. Kohë
për të shëtitur nëpër rrugët përplot me njerëz, për të shkuar, as ne s'e dimë se
ku; për të vrapuar që të mund të bëjmë sa më shumë punë, për t'u ndalur pranë
një elteri, për t'u lutur. Kështu njerëzit vrapojnë pas kohës: të ngutshëm, të
vrullshëm, të paduruar, të djersitur, të nxituar… Për të shëtitur…. Për të ecur…
për të vrapuar, për t'u ndalur…Nuk të kërkoj, o Zot, kohë për të bërë këtë e atë,
të lutem të bëj në kohë atë që Ti më dhuron, atë që dëshiron Ti vetë! Koha e jetës
sonë është e çmuar për t'i dhënë kuptim asaj të të tjerëve, për të medituar se kush
jemi e ç'duhet të bëjmë, për të njohur e për të kërkuar, për të dashur e për të kuptuar
se çdo ditë e Vitit të Ri, që sapo filloi, është një mrekulli, një dhuratë që Zoti
na ofron për të dashur e rivendosur paqen mes nesh!