Papa për përfundimin e Vitit Kompostelan: dëshmitarë besnikë të Zotit, vetëm në se
në shërbim të njerëzimit!
(31.12.2010 RV)Uroj që shtegtarët, të cilët shkojnë në Santiago të Kompostelës,
ta çojnë përsëri në vendet e tyre dritën e praninë e Krishtit, për të fuqizuar, kështu,
rrënjët e krishtera të Evropës. Ky është, përmbledhtas, urimi i Benediktit XVI në
një mesazh, drejtuar kryeipeshkvit të Shenjtërores galiciane, imzot Hulian Barrio
Barrio. Papa shkruan me rastin e përfundimit të Vitit të 119-të Shenjt Kompostelan,
që u kremtua sot pasdite, duke nisur nga ora 16. 30, kur imzot Barrio kryesoi ritin
e mbylljes. Në mesazh, duke kujtuar edhe Ditën Botërore të Rinisë, që do të kremtohet
në Madrid, më 2011, Benedikti XVI i fton, ndërmjet tjerash, të rinjtë, t’i përgjigjen
bujarisht thirrjes së Krishtit. Ju ftoj – shkruan Papa – ta dëgjoni thirrjen e Krishtit,
të hyni me të në një dialog të lirë e të qetë e t’i thoni: “A më vlerëson si apostull
e si lajmëtar të dashurisë sate në botë?”. Uroj që të mos mungojë përgjigjja, shkruan
Papa e, në vijim u kujton seminaristëve se duhet ta bëjnë Krishtin të pranishëm kudo,
duke përsëritur çdo ditë me përvujtëri, fjalët e gjestet e tij, me vetëdijen se thirrja
meshtarake është dhuratë e mrekullueshme, që duhet ta mbushë me krenari çdo njeri,
të cilit i drejtohet.