Në vitin 2010, rreth 2 milion e 300 mijë vetë morën pjesë në takimet me Papën në Vatikan.
(31.12.2010 RV)2 milion e 300 mijë shtegtarë e besimtarë, 30 mijë më shumë,
në krahasim me vitin 2009, morën pjesë, gjatë vitit 2010, në audienca e takime të
ndryshme me Benediktin XVI, në Vatikan ose në Kastel Gandolfo. Shifrat bazohen në
të dhënat e sakta të pjesëmarrjes në audiencat e përgjithshme, në Sallën e Palit
VI ose në audiencat e veçanta, në Pallatin Apostolik, por edhe të përafërta, në kremtimet
e Engjëllit të Tënzot ose të Mbretëreshës Qiellore të dielave, në kremtimet për shpalljen
e shenjtorëve, për hapjen e mbylljen e viteve të veçanta, si për shembull, mbyllja
e Vitit Meshtarak e festime të tjera të kësaj natyre. Sipas të dhënave, prania
e besimtarëve në audiencat e përgjithshme të vitit 2010 ka qenë rreth 493 mijë vetë;
178 mijë, prania në audiencat e veçanta, 381 mijë në kremtimet liturgjike e më se
1 milion e 200 mijë në lutjet e Engjëllit të Tënzot apo të Mbretëreshës Qiellore.
Këto
shifra nuk llogarisin turmat, që zakonisht mblidhen rreth Atit të Shenjtë me rastin
e shtegtimeve të tij apostolike jashtë Italisë, siç e kemi parë gjatë këtij vitit
në Maltë, Portugali, Qipro, në Mbretërinë e Bashkuar, në Santiago të Kompostelës e
në Barcelonë. Nuk llogariten as pranitë, gjithnjë më të shumnumërta, që përbëjnë kornizën
e vizitave baritore të Papës në Itali (sivjet në Torino, Sulmona, Karpineto Romano
e Palermo), e as pranitë gjatë vizitave të Shenjtërisë së Tij në famullitë romake.