2010-12-31 09:29:33

Më 31 dhjetor Kisha katolike përkujton Shën Silvestrin Papë.


(31.12.2010RV)Shën Silvestri është shenjt shumë i njohur. Emri i tij është bërë tashmë sinonim i festës së fundit të Vitit, jo sepse ishte njeri gazmor, ashtu si është festa e ndërrimit të viteve, që i mbush njerëzit me shpresa të reja për një kohë të re, por thjeshtë sepse vdiq më 31 dhjetor të vitit 335 dhe nisi menjëherë të nderohej si shenjti i Romës.
Me emrin e tij lidhen ngjarje të rëndësishme për Qytetin e Amshuar e për krishterimin. Silvestri qe papë në kohën e Perandorit Kostandin, që u njohu të krishterëve lirinë e kultit. Gjatë papnisë së tij, reformoi kalendarin dhe përdori për herë të parë shprehjen e përgjithshme “ditët e javës”, në sa para tij i kushtoheshin perëndive pagane.
Është Papa që në vitin 325 thirri Koncilin I ekumenik të Nikesë, gjatë punimeve të të cilit u miratua ‘Besojma’ e cila, duke iu kundërvënë doktrinës së Arit, ripohon hyjninë e Jezu Krishtit: “Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë, i lindur e jo i krijuar, me të njëjtën natyrë me Atin”.
Papa Silvestri nuk pati kurrfarë mundësie të ishte i pranishëm në diskutime: vendimet që u morën, iu komunikuan me respekt e solemnitet. Po ai mbeti keq, pse, jo për faj të tij, nuk mundi të jepte mendimin për një vendim kaq të rëndësishëm në historinë e krishterimit, që do t’i bënte ballë shekujve.
I pafat edhe historikisht ky papë, pa faj edhe këtë herë: për disa shekuj me radhë u besua si i vërtetë një dokument, i quajtur ‘donacioni kostandinian”, me të cilin perandori i dhuronte Silvestrit e pasardhësve të tij, qytetin e Romës dhe disa provinca të tjera italiane. Ky dokument, vërtetësia e të cilit dyshohej në shekullin X, në shekullin XVI do të konsiderohej i rremë.
Një vit pas vdekjes, Papës Silvestri iu kushtua festa e 31 dhjetorit, ndërsa në Kishën lindore përkujtohet më 2 janar. Është Papa i parë që u lartua në nderimet e elterit, pa qenë martirizuar. U varros në katakombet e Prishilës në rrugën romake Salaria, por pjesa më e madhe relikeve të tij ruhen në Kishën romake kushtuar Shenjtit.
Gjatë papnisë së tij, Silvestri reformoi kalendarin dhe përdori për herë të parë shprehjen e përgjithshme “ditët e javës”, në sa para tij i kushtoheshin perëndive pagane. Prej këndej, në festën e tij, prindërit i kujtojnë bijave e bijve:
“Shiko, bija ime e edhe ti, biri im
Po të dhurohen 365 ditë të reja. Kushtoja Zotit të vërtetë e Ai do të t’i mbushë plot me gëzim!”.

Nuk dua të më tregosh, o Zot,
sesi do të jetë e nesërmja,
e as në se ëndrrat
do të mbeten ëndërr
apo do të bëhen jetë.
Në se fara e hedhur
nëpër hullitë e ditëve
do të lulëzojë,
apo do të kalbet pa mbirë?
E ditë e farë do të vdesin
njëherësh me shpresën?
Veç ti e di në se do ta korr
farën që hodha.
Apo në të korra,
korrësi nuk do t’ia dijë
se ç’bëri ai që mbolli?
Po t’i mblatoj, o Zot,
të gjitha thesaret,
që ndryhen në ditët e mia:
gjumin e netëve e dritën e ditëve
kur në sofër ulem bashkë me të mitë,
për të thyer bukën,
për të pirë kupën,
herë me verë
e herë me vrer!
Vetëm një gjë të kërkoj.
Veç për një gjë të lutem:
Zoti im, mos më lësho
kur fryn e shfryn stuhia!
Por edhe atëherë,
kur dielli ndrin mbi ditë
e hëna përmbi net.
Më ndihmo të bëhem
ashtu si ty të pëlqen.
Rrënjët t’i lëshoj mbi Shkëmb!







All the contents on this site are copyrighted ©.