2010-12-30 11:42:12

Maska e Atë Gjergj Fishtës


(30.12.2010 RV)(Një korrigjim i vogël, për një shkrim të botuar në “Gazetën Shqiptare”).
Lexojmë këto ditë në shtypin shqiptar shumë shkrime kushtuar atë Fishtës, në përvjetorin e 70-të të vdekjes. Ndërmjet tyre, një artikull, botuar në Gazetën Shqiptare, më 26. 12. 2010, nënshkruar nga Mentor Quku e Admira Peçi. Na vjen mirë ta shikojmë gjithë këtë interesim për Poetin Kombëtar Françeskan, në sa ka kaluar një jetë njeriu, që nga çasti kur zbriti në varr. E sot fatbardhësisht nuk kujtohet më me dashakeqësinë e dikurshme. Përkundrazi, kryesisht dashamirët po rrokin rishtas pendën, për të kujtuar lumninë e tij të pamort. Por çka na çuditë, janë shumë pasaktësi, që mund të ndreqeshin fare lehtë, sepse atë Gjergji nuk ka jetuar para Krishtit e, prej këndej, janë ende gjallë shumë nga ata, që e njohën e që ishin të pranishëm në funeralin e tij të pashoq. Pastaj, Vatra Fishtjane nuk është shuar. Është plot me pinjoj të rinj që e mbushin me jetë Kuvendin e fretërve, në zemër të Shkodrës. Kushdo mund të trokasë në portë, për të kërkuar të dhënat e domosdoshme, kur merr pendën në dorë e nis të shkruajë për françeskanët e për figurat e ndritura, që i dhuruan atdheut. Aty është burimi kryesor!
Shkruhet, në artikullin e lartpërmendur, se françeskanët e paskeshin pasur traditë t’u merrnin maskën e fytyrës personaliteteve të tyre të shquara, menjëherë pas vdekjes. Sigurisht që shkruesit e këtyre radhëve nuk e njohin fare traditën e françeskanëve, vëllezër të motrës varfëri, të motrës dëgjesë, motrës pastri e deri, të motrës vdekje. Larg çdo maske, prandaj, më të gjallë e më të vdekur. Deri më sot nuk ka kurrfarë dëshmie që të tregojë se iu mor maska ndonjërit nga fretërit shqiptarë, sado të mëdhenj të kenë qenë. Madje mund të shkojmë edhe më larg, tek themeluesi i Urdhërit, Shën Françesku, edhe ai pa kurrfarë maske.
Vjen, pastaj, pyetja: “A ruhet sot maska?”. E përgjigjja krejt e pasaktë, sipas së cilës maskën e realizoi At Justin Rrota. Së pari, atë Justini nuk mund ta realizonte maskën, sepse më atë kohë ishte ‘i pikuem’ siç thuhet në Shkodër, domethënë gjysëm i paralizuar e memzi mbahej në këmbë. Nuk ishte, prandaj, i zoti, edhe sikur të dëshironte e t’i kishte të gjitha njohuritë e mjetet, që duhen në këtë rast, për ta kryer një punë të tillë kaq delikate. Aq më tepër sepse trupi i vdekur i Fishtës qe vendosur mbi një podiun të lartë, që të shihej nga dashamirët prej të katër anëve të Kishës. Duhej të kacavarej me shkathtësi të jashtëzakonshme mbi katafalkun, për të arritur deri te fytyra e të Vdekurit të madh. Atëherë, kush e realizoi maskën? Janë gjallë edhe sot e kësaj dite shumë nga anëtarët e Djelmnisë Antoniane, që ishin të pranishëm në Kishë, kur aty ia behu skulptori-jezuit, Fratel Sala1 . Pa llogaritur këtu, dëshmitë e atyre, që punuan me vjet, në heshtje të plotë, për të mbledhur iskrat e fundit të lumnisë françeskane, pranë Fretërve të fundmë të mëdhenj, duke nisur nga Atë Viktor Volaj, për të përfunduar tek Atë Daniel Gjeçaj, autor i monografisë për jetën e veprën e Fishtës. I mbështjellë me mantelin e zi të zhgunit të vet jezuit, Fratel Sala iu afrua shpejt e shpejt trupit të vdekur të Fishtës, shtriu dyllin mbi fëtyrën ende të pangrirë mirë e u largua me të njëjtën shpejtësi, me të cilën kishte hyrë në Kishën, ku sundonte ngjyra e zezë e mortit të madh. Derdhi, pastaj, mbi dyll, maskën prej allçie, një kopje e së cilës u ruajt, siç pohon artikullshkruesi, nga Tomë Leci. Po puna e maskës nuk është mister: kush dëshiron ta admirojë, mund të shkojë në kuvendin françeskan të Gjuhadolit. Duhet të jetë atje të paktën kopja, që atë Zef Pllumi i pat dhuruar atë Daniel Gjeçajt, kur ky i fundit ishte ende në Romë. I ngjet shumë Fishtës së gjallë, që duket sikur fle, kjo vepër, ndoshta më e madhja që skulptori jezuit realizoi për të përjetësuar një frat françeskan të pakurrfarë madhnie.
E po në kuvendin françeskan mund të gjejë edhe dy portretet e famshme të Fishtës, pikturuar nga Umberto Giunti2 . Kush dëshiron të dijë më shumë, mund të shfletojë veprën e atë Daniel Gjeçajt “Gjergj Fishta, Jeta dhe Veprat” e të ndalet në faqen 175, duke u kthyer, më pas, edhe në faqen 169, për të lexuar portretin e pikturuar me fjalë: “Fizionomia e Fishtës”. E riprodhimin e pikturës së Giuntit në kartolinë, mund ta gjeni në librarinë ‘Illyricum’ në bulevardin qëndror të Shkodrës.

1 Fratel Arturo Sala SJ. ishte skulptor i njohur, autor i një mori veprash, riprodhime e origjinale, ndërmjet të cilave, Zoja e Dhimbshme dhe busti i Skenderbeut, me madhësi natyrore. Portretin e tij e përshkruan sivëllau, Atë Zef Valentini, nën titullin “Fratel Arturo Sala, artista e... burlone”. Cfr. “Gesuiti martiri in Albania”, San Fedele edizioni, Milano, 1996, fq 71.
2 Umberto Giunti (1886-1970), piktor i famshëm senez.







All the contents on this site are copyrighted ©.