2010-12-30 13:05:24

Benedikti XVI miraton ligjet kundër riciklimit e financimit të terrorizmit. Financa transparente për Selinë e Shenjtë.


Me Motu Proprio (Nismën Personale) vendosur nga Papa janë miratuar ligje të reja kundër riciklimit e financimit të terrorizmit.
U botua sot Letra apostolike e Papës Benediktit XVI, në formën e Motu Proprio (Nismës Personale), me të cilën shpall 4 ligje të reja për Shtetin e Qytetit të Vatikanit e Selisë së Shenjtë për parandalimin dhe kundërshtimin e aktivitetit ilegal në fushën financiare e monetare.
“Mjerisht, në kohët tona, në një shoqëri gjithnjë më të globalizuar, paqja – shkruan Benedikti XVI në Letrën apostolike – kërcënohet prej shkaqeve të ndryshme, mes të tyre përdorimi i gabuar e jo i drejtë i tregut e i ekonomisë si dhe ai, i tmerrshëm e shkatërrimtar, i dhunës që terrorizmi përdor dhe zbaton pa ndërprerje, duke shkaktuar vdekje,vuajtje, urrejtje e paqëndrueshmëri sociale”. Për këtë, Selia e Shenjtë – pohon Papa – “miraton” impenjimin e bashkësisë ndërkombëtare për pajisjen me “parime e instrumente juridike” kundër “fenomenit të riciklimit e të financimit të terrorizmit” e që “ synon ti bëjë të vetat këto rregullore në përdorimin e burimeve materiale që shërbejnë për zhvillimin e misionit të saj personale e të detyrave të Shtet Qytetit të Vatikanit”. Masat e reja paraprake, të vlefshme për Shtet Qytetin e Vatikanit dhe Selinë e Shenjtë, kanë të bëjnë edhe me Ior-in, Institutin për Veprat Fetare, duke konfirmuar në këtë mënyrë impenjimin e këtij të fundit për të vepruar në përkim me parime e kritere ndërkombëtare të miratuara.
Lidhur me këtë të dëgjojmë deklaratën e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardit..
“Botimi i sotëm i ligjeve të rejave për Shtet Qytetin e Vatikanit e për Dikasteret e Kuries Romake dhe Organizmat e Entet e varura nga Selia e Shenjtë është ngjarje me rëndësi ligjore, por ka edhe domethënie morale e baritore me peshë të gjerë. Të gjitha entet që janë të lidhura me qeverinë e Kishës katolike dhe me “mbështetjen” e saj që është Shtet Qyteti i Vatikanit, prej ditës së sotme hyjnë, me frymën e bashkëpunimit të sinqertë, në sistemin e parimeve e të instrumenteve juridike që bashkësia ndërkombëtare është duke ngritur e ndërtuar me qëllim për të garantuar bashkëjetesën e drejtë e të ndershme në një kontekst botëror gjithnjë e më të globalizuar; kontekst ky në të cilin mjerisht realitetet ekonomike e financiare janë jo rrallë herë fushë e aktiviteteve ilegale, siç është riciklimi i të ardhurave nga aktivitetet kriminale e financimi i terrorizmit, rreziqe këto të vërteta për drejtësinë e paqen në botë.
Papa pohon shumë qartë se “Selia e Shenjtë e miraton këtë impenjim e sistem parandalues” të bashkësisë ndërkombëtare dhe “synon t’i bëjë të vetat rregulloret” me të cilat pajiset “për të parandaluar e kundërshtuar” këto fenomene të tmerrshme. Aktivitetet e paligjshme kanë treguar gjithmonë një aftësi të tyre të jashtëzakonshme për t’u futur e çrregulluar botën ekonomike e atë financiare, madje zhvillimi i tyre në nivelin ndërkombëtare si dhe përdorimi i teknologjive të reja e ka përhap gjithnjë e më të gjerë aktivitetin e tyre e bërë më të aftë për t’u fshehur, kështu që për t’u mbrojtur nga ky fenomen është bërë çështje urgjente themelimi i rrjetit të kontrollit e të informacionit të anasjelltë mes autoriteteve përgjegjëse për luftimin e këtyre aktiviteteve të paligjshme”.
Sipas Atë Lombardit “solidariteti ndërkombëtar është me rëndësi thelbësore për funksionimin dhe qëndrueshmërinë e një sistemi të tillë, e është punë e duhur dhe e drejtë që autoritetet kombëtare të vigjilencës dhe të organizmave kompetente ndërkombëtare (Këshilli i Evropës e, në mënyrë të veçantë, GAF: Grupi i Aksionit Financiar Ndërkombëtar kundër riciklimit të kapitaleve) ti ruajnë e përcjellin me vëmendje Shtetet dhe entet që ofrojnë garancitë e kërkuara dhe në anën tjetër t’u imponohen detyrime e obligime më të mëdha atyre Vendeve e enteve që nuk u përshtatet parimeve e rregulloreve”.
Me aprovimin e ligjit që kundërshton riciklimin e dinarit dhe me themelimin e Autoritetit të informacionit financiar, “është bërë hapi i parë drejtë regjistrimit të Vatikanit në white list”. Kështu pohoi mes tjerash drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi. White list është lista e Vendeve të virtytshme në fushën e transparencës financiare vendosur nga Gafi, Grupi i Aksionit Financiar Ndërkombëtar kundër riciklimit të kapitaleve që i referohet OSBE-së.
“Hapi i parë – tha atë Lombardi – është ai i miratimit të ligjeve dhe shpallja e tyre, pastaj Autoriteti financiar do të verifikojë zbatimin e të njëjtave ligje. Kemi fjalën për një ligj impenjues”. Atë Lombardi saktësoi se natyra e “pavarur” e Autoritetit financiar ndërmjet të gjitha institucioneve të Vatikanit, përbënë edhe një risi në organizimin e Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.