Revista “Famiglia Cristiana” (Familja e Krishterë) kremton 80 vjetorin e lindjes.
(29.12.2010 RV)“Familja e Krishterë” kremton 80-vjetorin: rrugë e gjatë impenjimi
informativ e formativ. E ky impenjim, në këtë çast të vështirë –shkruan Presidenti
i Republikës së Italisë, Napolitano - fiton një kuptim edhe më të thellë, që të shtyn
ta shikosh familjen si burim i çmuar dhe i pazëvendësueshëm për progresin dhe zhvillimin
e një shoqërie të hapur e solidare, sipas vizionit largpamës të Kushtetutës italiane.
Don Antonio Sciortino, drejtor i revistës, na flet shkurtimisht për historinë
e “Familjes së Krishterë”:
Përgjigje: - Familja e Krishterë
mbush, siç thamë, 80 vjet. Lindi në Krishtlindjen e vitit 1931, me nismën e të Lumit
Xhakomo Alberione, themelues i Paolinëve, i cili e krijoi këtë institut të njohur
nga Kisha, për të ugjillëzuar përmes të gjitha mjeteve të komunikimit. Në vitin ’31
e nxjerr në dritë këtë revistë për familjet, sepse shikon në to qelizat jetike të
shoqërisë e të Kishës: një revistë tejet e thjeshtë, e lindur për të informuar, për
të formuar e për t’i shërbyer familjes. Parimi ishte për t’u folur të gjithëve krishtërisht,
e mbeti gjithnjë parim themelor, adn-ja jonë, vija jonë drejtuese, sepse nuk ka asnjë
argument, që duhet të jetë i paprekshëm, tabù. Flitej, që asokohe, për gjithçka i
interesonte familjes, si në këndvështrimin konkret e material, ashtu edhe në atë shpirtëror.
Kjo mund të bëhej vetëm duke pasur kompetencat e nevojshme, sepse që në fillim u kërkuan
kompetencat e plota për të përballuar problemet, që kanë të bëjnë me familjen, me
edukimin e fëmijëve, me nevojat e pleqve, me problemet e çifteve, me shqetësimet e
familjeve e kështu me radhë, të gjitha problemet, duke i parë në këndvështrimin e
krishterë. Edhe sot e kësaj dite theksojmë se për ne s’ka asnjë tabù, sepse e kemi
kompetencën e nevojshme e edhe sepse dimë t’i shikojmë problemet në këndvështrimin
e krishterë. Këndvështrimi ynë, me të cilin e përballojmë realitetin e me të cilin
u flasim edhe familjeve, është gjithnjë ai, që ndriçohet nga Ungjilli e nga doktrina
shoqërore e Kishës.
Pyetje: - Në se ndokush nuk do ta njihte Familjen
e Krishterë e ju do t’i flisnit për këtë revistë, ç’do të thoshit sot për të? Ç’është,
sipas jush, Familja e Krishterë?
Përgjigje: - Në një çast,
kur familja sulmohet e merret keqas nëpër këmbë, ajo prapëseprapë vijon të mbetet
pasuria kryesore e këtij vendi: ky vend mbahet në këmbë pikërisht falë familjes. Familja
e Krishterë është revista e gjithë familjes, sepse në të, të gjithë anëtarët e familjes
mund të gjejnë hapësirën e vet: nga të rinjtë; tek çiftet që përgatiten për martesë;
tek bashkëshortët tashmë të martuar e deri tek pleqtë. Familja është çelësi, që shërben
për të kuptuar si e përballojmë gjithë realitetin. Një revistë e gjithanshme, me vlera
që ndihmojnë vërtet për ta deshifruar një shoqëri, e cila sot është shumë, shumë e
vështirë për t’u kuptuar, në një çast laicizmi e relativizmi të thellë moral.