2010-12-29 15:38:05

Pueri Cantores: kur muzika e të rinjve i flet shpirtit


(29.12.2010 RV)T’i çojnë botës mesazhin e dashurisë së Zotit dhe lajmin e gëzueshëm të paqes përmes këngës: ky është misioni i “Pueri Catores”, i koreve të fëmijëve mbledhur në Vatikan nga e gjithë bota për Kongresin e 36-të të Federatës së tyre Ndërkombëtare. Takimi filloi dje në praninë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone dhe do ta ketë kulmin nesër, në audiencën me Papën Benedikti XVI.RealAudioMP3
3 mijë të rinj nga mosha 7 deri 17 vjeç e 100 kore nga çdo anë e botës, përfaqësojnë në Kongres Federatën, që përfshin 25 mijë koristë, nga Evropa në SHBA-të, nga Republika Demokratike e Kongos në Korenë e Jugut. Quhen “Pueri Cantores” e gjatë kësaj jave, japin koncerte në famullitë e ndryshme të Romës, deri më 1 janar. Ajo e këngës në kishë, është një traditë, që i ka rrënjët në shën Gregorin e Madh, përforcuar gjatë Rilindjes me themelimin e kapelave muzikore romake. Të dëgjojmë, Kristiana Tenedinin e “Pueri Cantores” të Romës:
“Kënga liturgjike është shumë e rëndësishme gjithmonë. Siç thoshte shën Agustini: “Kush këndon lutet dy herë”. Pra, shërbimi liturgjik është tepër i rëndësishëm për bashkësinë e besimtarëve, që mblidhet e lutet me këngë, duke theksuar ndjetet e lutjes, që kalojnë përmes muzikës. Në këtë rast, takohen fëmijët e të rinjtë nga e gjithë bota. Në ta ndihet aspirata për paqen, parë si një objektiv, që mund të arrihet edhe përmes muzikës e, veçanërisht, përmes muzikës kishtare”.
Çast kulmor në ceremoninë e djeshme për hapjen e Kongresit, ishte dorëzimi i relikeve të shën Domenik Savios, pajtor i Federatës “Pueri Cantores”, shenjti i parë salezian, që vdiq në moshë të re, pas përkushtimit të jashtëzakonisht në shërbimin liturgjik. Motoja e Kongresit “Deus caritas est” citon enciklikën me të njëjtin titull të Papës Benedikti XVI, një nga të parat, ku flitet shprehimisht për muzikën, këngën dhe aftësinë e tyre për të krijuar paqe e vëllazërim ndërmjet njerëve, përmes lavdeve drejtuar Zotit. Një mesazh, të cilin ua përçoi koristëve edhe kardinali-sekretar i Shtetit të Vatikanit, Tarçizio Bertone, që kryesoi kremtimin:
“Të dashur ‘Pueri Cantores’, dhurojani Zotit zërin dhe përpjekjet tuaja, që të bëheni gjithnjë e më të denjë për t’i kënduar lavde Atij. Jezusi do ta pranojë ofertën e impenjimin tuaj e, të jini të sigurtë se do t’jua shpërblejë shumëfish. Ai do t’ju ndihmojë në rrugën e jetës e do të jetë me ju në realizimin e asaj bote të ardhshme, në të cilën shpresoni të jetoni e të dashuroni”.







All the contents on this site are copyrighted ©.