2010-12-28 15:53:43

Në festën e Martirëve të Pafajshëm, mësimet e Papës na ftojnë t'i mbrojmë fort fëmijët


(28.12.2010 RV)“Viktimat e tërbimit të Herodit, që e dëshmojnë Krishtin “jo me fjalë, por me gjak”, na kujtojnë se “martirizimi është dhuratë falas e Zotit” e se fëmijët kanë dinjitet në Kishë. Kështu thotë liturgjia e sotme, në kremtimin e festës së Martirëve të Pafajshëm, të cilët u vranë nga mbreti Herod, që në të vërtetë, kishte për qëllim të vriste Jezu Krishtin, Foshnjën Hyjnore.RealAudioMP3

Zhurma e kuajve, që vrapojnë furishëm, apo ajo e këpucëve të ushtarëve, që marrshojnë mes shtëpive të Betlehemit, në vitin zero të historisë së njerëzimit, nuk janë dhe aq larg nga tingujt e dhunës, që shpesh ushtrohet mbi fëmijët e kohës së sotme, të shndërruar nga të rriturit në mjete lufte për interesat e të mëdhenjve; ose të skllavëruar nga keqtrajtime, apo përdhunime brenda shtëpish, që janë “argëtuese” veç për të rriturit; ose të shitur, pasi fatkeqësisht janë një gojë më shumë për t’u ushqyer; ose të vrarë, sepse kanë seksin që nuk duhet të kenë, apo nuk janë aq të shëndetshëm e të përzgjedhur; ose të konsideruar një grumbull i thjeshtë me pjesë këmbimi për t’u sakatuar me bisturi; ose të paardhur kurrë në dritë, sepse të rriturve nuk u intereson buzëqeshja e tyre pa faj, por vetëm ndonjë segment i ADN-së, i kodit të tyre gjenetik.
Herodi, gjakësori i tërbuar, që i çon ushtarët të shfarosin Fëmijët e Pafajshëm, të kremtuar e të vajtuar sot nga Kisha, rijeton në shumë “Herodë”, që bëjnë po të njëjtat veprime, pas 20 shekujsh, vetëm se me armë të tjera. Furia vëllavrasëse e mbretit biblik dhe i shumë gjakatarëve të sotëm përplaset mbi më të vegjlit, mbi më të pambrojturit, që kanë në sy – siç thoshte Benedikti XVI para një viti – ngjyrat e Parajsës së vërtetë:
“Fytyrat e fëmijëve janë pasqyrë e këndvështrimit të Zotit mbi botën. Atëherë, pse t’i shuajmë buzëqeshjet e tyre? Pse t’ua helmojmë zemrat? Fatkeqësisht, ikona e Nënës së Zotit, kaq e ëmbël, e ka të kundërtën e vet në imazhet e dhimbshme të sa e sa fëmijëve sëbashku me nënat e tyre, që vuajnë nga lufta e nga dhuna: refugjatë, të shpërngulur, emigrantë” (Mesha e 1 janarit 2010)
Fytyrat e vogëlushëve të pafajshëm, të ngrëna nga uria dhe sëmundjet, fytyrat e shpërfytyruara nga dhimbja dhe dëshpërimi, pati thënë Papa, i bëjnë heshtas thirrje përgjegjësisë sonë:
“Përballë gjendjes së tyre pa mbrojtje, bien të gjitha justifikimet e rreme për luftën e dhunën. Thjesht, duhet ta kthejmë zemrën drejt planeve për paqen, të ulim armët e çdo lloji e të impenjohemi sëbashku për të ndërtuar një botë më të denjë për njeriun” (Mesha e 1 janarit 2010)
Martirët e Pafajshëm të Betlehemit janë pra, ikona e fëmijërisë së dhunuar, nga e cila ngrihet një thirrje, që përshkon historinë e ndërgjegjet. Një thirrje, për të cilën, para dy vjetësh, Benedikti XVI gjeti këto fjalë, që i dolën nga shpirti:
“Dua të shfrytëzoj rastin për të bërë një thirrje në favor të fëmijëve: të kujdesemi për të vegjlit! T’i duam e t’i ndihmojmë të rriten. Ua them prindërve, por edhe institucioneve. Mendimi më shkon tek fëmijët në çdo anë të botës, veçanërisht tek ata më të pambrojturit, më të shfrytëzuarit e më të abuzuarit. Ia besoj çdo fëmijë zemrës së Krishtit, që pati thënë: “Lerini fëmijët të vijnë tek unë!” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 2 mars 2008)
 







All the contents on this site are copyrighted ©.