2010-12-27 16:04:56

Papa në Engjëllin e Tënzot: ta imitojmë Familjen e Shenjtë, për t’i kapërcyer me dashuri vështirësitë. Thirrje për paqe, pas dhunës së re kundër të krishterëve.


(27.12.2010 RV)Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa i ftoi besimtarët ta kenë si model jete Familjen e Shenjtë, që e kremtonte Kisha, për të kapëcyer, kështu, shqetësimet e provat. Nënvizoi, më pas, sa rëndësi ka që çdo fëmijë, duke ardhur në botë, të pritet me dashuri nga babai e nga nëna. Së fundi bëri përsëri thirrje për paqen, pas dhunës së re antikristiane në Nigeri e në Filipine.RealAudioMP3

 
Papa i ftoi dje besimtarët ta kundrojnë skenën e Familjes së Shenjtë në Shpellën e Betlehemit, ku Krishti i vogël rrethohet me kujdes e dashuri të pakufishme nga prindërit. Maria e Jozefi e ruajnë thellë në zemër misterin e lindjes së Birit të Zotit:
“E pra, lindja e çdo fëmije sjell me vete diçka nga ky mister! E dinë mirë prindërit, që e marrin si dhuratë e që shpesh e shikojnë si të tillë. Të gjithë kemi dëgjuar t’u thuhet një nëne a një babai: “Ky fëmijë është dhuratë. Është mrekulli!”.
Në të vërtetë – pohoi Papa - qeniet njerëzore nuk e jetojnë lindjen e fëmijëve thjesht si akt riprodhues, por e perceptojnë si pasuri, e kuptojnë se çdo krijesë njerëzore, që duket mbi tokë, është shenjë e Krijuesit, e Atit qiellor:
“Sa e rëndësishme, është, atëhere, që çdo fëmijë, duke ardhur në botë, të pritet me dashuri nga familja. Nuk ka pikë rëndësie në se rrethohet ose jo me komoditete: Jezusi lindi në një stallë e djepi i tij i parë qe grazhdi, por dashuria e Marisë dhe e Jozefit e bënë të ndjejë, që në çastet e para të jetës, sa gjë e bukur është të të duan. Për këtë kanë nevojë fëmijët: për dashurinë e babait e të nënës. Kjo është siguria e tyre e, në sa rriten, është edhe kushti themelor, që i ndihmon të zbulojnë kuptimin e jetës”.
Benedikti XVI kujtoi se Familja e Shenjtë e Nazaretit përballoi prova të shumta, si ikja në Egjipt, por, duke u mbështetur në ndihmën e Provanisë Hyjnore, i krijoi Jezusit mundësinë të kalonte fëmijëri të qetë e të merrte edukatë të shëndoshë. Familja e Shenjtë – shtoi Papa - natyrisht është krejtësisht e veçantë dhe e papërsëritshme, por njëkohësisht, mbetet model jete për çdo familje që, sipas shembullit të saj, është e thirrur të përballojë probleme e shqetësime me dashuri të thellë e mirëkuptim të anasjelltë:
“T’ia besojmë, prandaj, Zojës së Bekuar e Shën Jozefit, të gjitha familjet, që të mos e humbasin guximin përballë provave e vështirësive, por ta kultivojnë gjithnjë dashurinë bashkëshortore e t’i shërbejnë me përkushtim jetës dhe edukimit”.

 
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi me trishtim dhunën, që vijoi t’i godasë të krishterët edhe në këto ditë feste. Lajmet tashmë janë përhapur në mbarë botën. Tejet të trishtuara: vijnë nga Filipinet e nga Nigeria. Besimtarët katolikë të Filipineve ishin viktimë e një atentati brenda në kishë, ndërsa kremtoheshin ritet e Krishtlindjes. E sulme të reja kundër të krishterëve tronditën edhe Nigerinë. Por toka vijon të mbruhet me gjak të krishterësh edhe në zona të tjera të botës. Mjafton të kujtojmë Paksitanin e zonat përreth:
“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera për viktimat e kësaj dhune fare pa kuptim e përsëris edhe një herë thirrjen për ta braktisur rrugën e urrejtjes e për t’i zgjidhur konfliktet me rrugë paqësore, duke u dhënë popullsive siguri e paqe. Në këtë ditë, kur kremtojmë Familjen e Shenjtë, që jetoi përvojën dramatike të ikjes në Egjipt për shkak të tërbimit vrasës të Herodit, kujtojmë edhe të gjithë ata - posaçërisht familjet – që detyrohen të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të luftës, të dhunës, të intolerancës. Ju ftoj, prandaj, të bashkoheni me mua në lutje për t’i lypur me forcë Zotit t’i prekë zemrat e njerëzve e të na sjellë shpresë, pajtim e paqe!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.