2010-12-27 16:06:26

Krishtlindje e përgjakur në Nigeri. 41 viktima.


(27.12.2010 RV)Ka arritur në 41 viktima bilanci i Krishtlindjes së përgjakur në Nigeri, pas një seri atentatesh dhe sulmesh kundër kishave të krishtera. 32 persona humbën jetën vetëm në vigjiljen e festës, në zona të ndryshme të qytetit të Josit, ku shpërthyen së paku 7 bomba. Njëkohësisht, anëtarë të një sekti islamik sulmuan tri kisha në veri të vendit, duke vrarë gjashtë vetë e duke i vënë flakën njërit prej vendeve të kultit.
Qyteti i Josit ndodhet në qendër të Nigerisë, i shtrënguar ndërmjet veriut me shumicë myslimane dhe jugut me shumicë katolike. Prej kohësh është teatër ndeshjesh me karakter fetar, por në të vërtetë, pas dhunës, qëndron lufta për pushtet ekonomik e politik ndërmjet të krishterëve Berom, grup etnik indigjen dhe myslimanëve Hausa-Fulani. Sot, duket se policia ka marrë sërish në dorë kontrollin e gjendjes në Jos. Presidenti nigerian, Gudlak Xhonatan u shprehu afërsinë e tij familjeve të viktimave dhe premtoi se përgjegjësit e kësaj gjakderdhjeje do t’i dorëzohen drejtësisë. Sulmet kundër të krishterëve janë dënuar ashpër edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun.







All the contents on this site are copyrighted ©.