2010-12-27 16:05:10

Benedikti XVI në drekën me të varfërit, në Vatikan: “Dashuria është forca që ia ndryshon faqen botës”.


(27.12.2010 RV)“Dashuria është forca e vërtetë, që e ndryshon botën”: kështu u shpreh Benedikti XVI në përfundim të drekës me rreth 250 të varfër, të asistuar nga bashkësitë e ndryshme romake të Misionareve të Bamirësisë, që u shtrua dje në Sallën e Palit VI në Vatikan, për nder të 100-vjetorit të lindjes të së Lumes Nënë Terezë. Të pranishëm, edhe shumë rregulltarë e rregulltare, të cilët Papa i falënderoi për shërbimin e tyre të përvuajtur ndaj nevojtarëve. Në përfundim të drekës, përshëndeti edhe Nënë Prema, eprore e përgjithshme e Misionareve të Bamirësisë.RealAudioMP3

Zëri i Papës e mbushi me gëzim zemrën e të varfërve, të vetmitarëve, të të përjashtuarëve nga radhët e shoqërisë, por edhe të atyre që u kushtojnë, me dashuri e kujdes, gjithë jetën e që dje drekuan rreth Atit të Shenjtë. Në Sallën e Palit VI, për disa çaste, u ndje një gëzim i jashtëzakonshëm, që i ngjiste sadopak gëzimit të kahmotshëm rreth Shpellës së Betlehemit, kur Engjëjt u dhanë barinjve lajmin e lindjes së Shëlbuesit:
“Foshnja, që e shikojmë në Shpellë, është vetë Zoti, i cili u bë njeri, që të na tregojë se na do e sa na do: Hyji u bë një nga ne, për të qenë pranë secilit, për të fituar mbi të keqen, për të na çliruar nga mëkati, për të na dhënë shpresë, për të na kujtuar se nuk jemi kurrë vetëm”.
Në sofrën e Papës u ulën 14 mysafirë, ardhur nga shtëpitë e ndryshme të pritjes. Ndërmjet tyre, edhe Nënë Prema, eprore e përgjithshme e Misionareve, vëllau Brian, epror i vëllezërve kundrues dhe vëllau Sebastian, bashkëthemelues dhe epror i përgjithshëm i vëllezërve të Nënë Terezës. E pikërisht për Rregulltaren e lume shqiptare foli Papa, duke e quajtur “pasqyrim i dritës së Zotit mes njerëzve”:
“E Lumja Terezë e Kalkutës i deshi të gjithë njerëzit, pa kurrfarë dallimi, por duke pasur më për zemër, të varfërit e të braktisurit: shenjë e ndritshme e dashurisë atërore dhe e mirësisë së Zotit. Diti të njohë, në fytyrën e njeriut, fytyrën e vetë Krishtit, të cilin e dashuroi me gjithë vetveten”.
Dashuria e krishterë – pohoi Papa – është gjithnjë e vetmja forcë, që mund t’ia ndërrojë faqen botës. Prandaj atyre, që pyesin si e qysh Nënë Tereza arriti të bëhej kaq e famshme në të gjithë botën, Papa iu përgjigj:
Sepse jetoi në mënyrë të përvuajtur e të fshehtë, për dashuri e në dashuri të Zotit. Ajo vetë pohonte se çmimi më i madh që mund t’i jepej, ishte të donte Jezusin e t’u shërbente të varfërve”.
Falë Nënë Terezës - vijoi Ati i Shenjtë – shikojmë se edhe jeta jonë mund të ndryshojë, shpirti ynë mund të bëhet pasqyrë e dritës së Krishtit e të ndriçojë edhe të tjerët. Ajo na dha ngushëllimin dhe sigurinë se Zoti nuk e braktis kurrë njeriun e misioni i saj – nënvizoi Papa – vijon përmes grave e burrave që, në të katër anët e botës, e jetojnë karizmën e Motrës shqiptare, duke zgjedhur rrugën e misionarëve të bamirësisë. Prandaj, faleminderit të gjithë atyre, që japin jetën e vet për të tjerët, shpesh në heshtje të plotë, në fshehtësi, larg syve të botës, por shumë pranë syve e zemrës së Zotit, për të cilin vepra e tyre është tejet e çmuar:
“Njeriut, shpesh në kërkim të lumturive të rreme, dëshmia e jetës suaj u tregon se ku mund të gjendet gëzimi i vërtetë. Gëzimi gjendet, kur ndan të mirë e të keqe me të tjerët; kur dhuron, kur dashuron pa pritur kurrfarë shpërblimi, ashtu si di të dojë vetë Zoti, duke e bërë, kështu, copë e grimë, logjikën e egoizmit njerëzor”.
Pastaj, përshëndetja drejtuar mysafirëve, miqve e të gjithë të pranishëmve, që morën pjesë në këtë festë të gëzueshme vëllazërore:
“Të dashur miq, ta dini se Papa ju do fort”.

 
Por, për atmosferën e këtij takimi të jashtëzakonshëm festiv, të dëgjojmë drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardin, në mikrofonin e Radio Vatikanit: RealAudioMP3

Përgjigje: - Klima ishte jashtëzakonisht e qetë dhe e hijshme. Papa erdhi pak para orës një e u prit tek porta nga motra Mari Prema, që është eprore e përgjithshme, nga atë Sebastiani, epror i degës mashkullore e atë Briani, epror i vëllezërve kundrues. Ishte, pastaj, edhe një përfaqësi e vogël e mysafirëve, nga bashkësi të ndryshme të Motrave të Nënë Terezës, veshur me petka karakteristike festive: ndërmjet tyre, edhe Shën Jozefi e Zoja e Bekuar, me Foshnjën në krahë. Nuk munguan as Tre Mbretërit Dijetarë, që e pritën Papën e i bënë disa dhurata të vogla. Ishte edhe një kor i bukur i motrave të Nënë Terezës, që nisën të këndonin këngë të Krishtlindjes që në çastin kur arriti Papa e deri sa filloi dreka. Papa e takoi gjithë bashkësinë, të 500 vetët e pranishëm, ulur në katër radhë tryezash, vënë shumë pranë njëra tjetrës, sepse hapësira nuk është aq e madhe. Duke kaluar ndërmjet tyre, Papa u ndalua për të përshëndetur shumë nga gostiarët, e posaçërisht, fëmijët. Sapo arriti, i vunë në qafë një gjerdan me lule të bardha e të verdha, sipas zakonit klasik të indianëve, por edhe të Nënë Terezës. Kishte shumë gëzim në këtë festë, por edhe shumë rregull: shihej se mysafirët e ndjenin veten në një mjedis pak si të ndryshëm nga ai i përditshmi e, prej këndej, rrinin me respekt, por edhe me kënaqësi, që u lexohej në fytyrë. E përshëndetën Papën me një duartrokitje të stuhishme. Benedikti XVI u ul në një nga tryezat qëndrore, së bashku me Nënën eprore e me dy eprorët e degëve mashkullore, por edhe me shumë mysafirë të bashkësive: pranë tij – në njërin krah – ishte një zotëri i ardhur nga Zvicra e - nga krahu tjetër – një zonjë nga Italia. Gjithsejt ishin 14 mysafirë, përfaqësues të të gjitha bashkësive, ulur rreth Papës në sofrën kryesore.

Pyetje: - Misionarët e misionaret e Nënë Terezës strehojnë në Romë shumë të varfër, njerëz pa strehë, ish-të burgosur, të sëmurë nga Sida. Madje edhe në Vatikan - e këtë ndoshta e di shumkush - është një shtëpi, ku strehohen të pastrehë nga të katër anët e botës. Te porta e kësaj strukture dikush troket në çdo orë të ditës e, nganjëherë, edhe të natës....

Përgjigje: - Po, është shtëpia “Dhurata e Marisë”, që strehon prej vitesh të varfër, duke u ndarë edhe ushqime, atyre që nuk kanë të hanë e që radhiten ditë për ditë para kësaj porte, e cila u hapet nga Motrat e Nënë Terezës. Por, përveç atyre, që kërkojnë ushqim, ka edhe nga ata që sjellin ushqim. Porta troket vazhdimisht, për të dhënë e për të marrë. Njerëzit sjellin ndihma të ndryshme, ushqime, veshmathje, duke e dëshmuar, kështu, në një farë mënyre, dashurinë e krishterë, që kalon nëpër duart e motrave të Nënë Terezës!







All the contents on this site are copyrighted ©.