2010-12-25 19:47:46

Me banorët e Betlehemit, për të kërkuar paqe pa mure!


(25.12.2010 RV)Në Betlehem lindja e Krishtit u prit me kremtime, këngë, lutje e nisma, që krijuan atmosferën e shpresës për arritjen e pajtimit të vërtetë. Një atmosferë të tillë e krijuan sidomos fëmijët, me Marshimin e tyre të tretë “Fëmijë pa kufij për unitet e paqe”, organizuar nga Fondacioni Gjon Pali II. Për kremtimet, nga Qyteza ku lindi Krishti, të dëgjojmë Çarli Abu Saada, drejtor i Forumit Rinor, me seli në Betlehem:RealAudioMP3

Përgjigje: - Në qytetin e Betlehemit, ku lindi Jezusi, qindra fëmijë palestinezë, myslimanë e të krishterë, mbledhur nga të katër anët e Palestinës, bashkuan zërat në kor, duke i shprehur së pari Zotit, pastaj edhe autoriteteve politike, dëshirën për paqe e drejtësi në Tokën Shenjte. Është vërtet prekëse t’i shikosh gjithë këta fëmijë, shumica e të cilëve shkelin për herë të parë në Betlehem. Vijnë nga vende, që të kujtojnë menjëherë gjurmët e Jezusit: nga Jenini, Nablusi, Jeriko. Vijnë te Shpella, pasi kanë kapërcyer post-blloqet, për ta kremtuar këtë Krishtlindje në Betlehem.

Pyetje: - Duhet kujtuar se për këtë periudhë të Krishtlindjes, të gjitha pikat e kontrollit që çojnë në Betlehem e në Jeruzalem, janë hapura për të krishterët....

Përgjigje: - Po, është një risi, një progres, por vështirësitë mbeten të shumta... Shkon në Jeruzalem, në Varrin e Shenjtë e në Jeruzalemin e vjetër... por pastaj, kur rikthehesh në shtëpi, të duket se rikthehesh në burg, sepse rrethohesh me murin, që quhet Betlehem.

Pyetje: - Si është gjendja e bashkësisë së krishterë në Betlehem?

Përgjigje: - Ka shtegtarë e turistë. E ndjejmë veten ende të gjallë e përpiqemi të punojmë. Sivjet kemi vërtet shumë shtegtarë. Familjet e krishtera të Betlehemit po dalin të shëtisin fëmijët në logun e barinjve, po kënaqen duke soditur Bredhat e Krishtlindjes e Grazhdin, atë të vërtetin... Mund të themi se në këtë këndvështrim ka më shumë qetësi, por kjo nuk i pakëson vështirësitë, nuk e rrëzon murin. Prandaj kërkojmë, në radhë të parë, ndërhyrjen e vetë Zotit!

Pyetje: - Ndërmjet kremtimeve, më i rëndësishmi ishte ai i Meshës në mesnatë...

Përgjigje: - Po, në mesnatë. Qemë përgatitur që prej dy javësh për këtë ngjarje të madhe. Ishte i pranishëm edhe presidenti ynë palestinez, Mahmud Abbas, Abu Mazen. Në mesazhin e tij, patriku Fuad Tual vuri në qendër të vëmendjes dy fjalë: paqe e drejtësi! E u bëri thirrje kryesisht fëmijëve e të rinjve të mos dorëzohen, të mos e ëndërrojnë jetën e tyre të mëtejshme larg kësaj Toke të jashtëzakonshme, këtyre viseve, që njihen në mbarë botën si më të shenjtat.








All the contents on this site are copyrighted ©.