2010-12-25 19:47:00

Krishtlindja në Rusi: edhe ortodoksët nisin të bëjnë Shpellën e Betlehemit.


(25.12.2010 RV)Krishtlindja në Rusi shënon thellimin e afrimit e të dialogut ndërmjet katolikëve e ortodoksëve, siç na e shpjegon, në mikrofonin tonë, nunci apostolik në Federatën Ruse, imzot Antonio Menini:RealAudioMP3

Përgjigje: - Është interesante të shikojmë se shumë priftërinj rusë, natyrisht me maturi, vijnë të ndjekin liturgjinë tonë. Nuk është thjeshtë fjala për kuriozitet. I shtyn më shumë pasuria e Liturgjisë së Kishës katolike, predikimet, këngët. E edhe një element tjetër i traditës sonë katolike: ai i Shpellës së Betlehemit, që po përhapet gjithnjë më shumë ndërmjet ortodoksëve. Shumë priftërinj ortodoksë po e bëjnë Shpellën e Betlehemit, ndonëse jo brenda në kishë, sepse një traditë e tillë për ta është krejt e re. Gjithsesi, e ndjejnë se krijon pikërisht atmosferën e ngrohtë të familjes. E po ashtu shikojmë me kënaqësi se pranë famullive ortodokse, po hapen mensat për të varfërit. Për fat të keq kjo hapje tregon edhe se jetohet në kushte varfërie, por njëkohësisht flet për ndjenjën e solidaritetit të krishterë, gatishmërinë për ta ndarë kafshatën me vëllaun në vështirësi.

Pyetje: - Me ç’ shpresa jeton sot populli rus?

Përgjigje: - Shpresa e shumicës, siç e tha edhe patriku ortodoks Kirill, është që të rikthehet paqja ndërmjet të gjitha shtresave të shoqërisë. Kjo nuk do të thotë t’i fshehësh problemet, por të impenjohesh me të gjithë për t’i zgjidhur, për ta bërë më të frytshme drejtësinë, pjesëmarrjen në shpërndarjen e mjeteve e të pasurive, në mënyrë që të gjitha etnive t’u krijohen mundësitë të afirmohen denjësisht në shoqëri, duke pasur kryesisht parasysh ardhmërinë e bijve të tyre!









All the contents on this site are copyrighted ©.