Benedikti XVI: Mesazhi ‘Urbi et Orbi” – “Romës e Botës” (tekst i plotë)
(25.12.2010 RV)“Verbum caro factum est” - “E Fjala u bë njeri” (Gv
1,14). Të dashur vëllezër e motra, që më dëgjoni nga Roma e nga bota mbarë,
me gëzim ju kumtoj mesazhin e Krishtlindjes: Zoti u bë njeri, erdhi të banojë ndër
ne. Zoti nuk është larg: është pranë, madje është “Emanueli”, Zoti-me-ne. Nuk është
i panjohur, ka një fytyrë: këtë të Jezusit. Është mesazh gjithnjë i ri, gjithnjë
mahnitës, sepse i tejkalon edhe shpresat më të guximshme. E sidomos, sepse nuk është
thjeshtë kumt: është ngjarje, është ndodhi që dëshmitarë të besueshëm e panë, e dëgjuan,
e prekën në Vetjen e Jezusit të Nazaretit! Duke ndenjur me të, duke vërejtur veprimet
e tij e duke ia dëgjuar fjalët, njohën në Jezusin, Mesinë; e duke e parë të ringjallur,
pasi ishte kryqëzuar, u siguruan se Ai, njeri i vërtetë, ishte njëkohësisht Hyj i
vërtetë, Biri i vetëm i ardhur nga Ati, përplot me hir e me vërtetësi (cfr Gjn.
1, 14).
“E Fjala u bë njeri”. Përballë kësaj zbulese,
lind rishtas në shpirtin tonë pyetja: “si është e mundur?”. Fjala e korpi janë dy
realitete krejt të kundërta: e si mundet Fjala e amshuar dhe e gjithëpushtetshme të
bëhet njeri i brishtë e i vdekshëm? Nuk ka veçse një përgjigje të vetme, një fjalë
të vetme: Dashuri! Kush dashuron, dëshiron të jetë bashkë me të dashurin, dëshiron
të bëhet një me të, e Shkrimi Shenjt na përshkruan pikërisht historinë e madhe të
dashurisë së Hyjit për popullin e vet, që arrin kulmin në Jezu Krishtin.
Në
të vërtetë Zoti nuk ndryshon: ai është besnik ndaj Vetvetes. Ai, që krijoi botën,
është po ai që thirri Abrahamin e i tregoi emrin e vet Moisiut: Unë jam ai që jam...
Hyji i Abrahamit, i Izakut e i Jakobit... Hyj i dhëmbshur e i mëshirshëm, i pasur
me dashuri e besnikëri (cfr Es 3,14-15; 34,6). Zoti nuk ndryshon kurrë: është
dashuri, është ai që ishte përherë e përherë do të jetë. Është në vetvete Bashkim,
Unitet në Trini e çdo vepër e tija e çdo fjalë, synon bashkimin. Mishërimi është kulmi
i krijimit. Kur në kraharorin e Marisë, për vullndesë të Atit e për virtyt të Shpirtit
Shenjt u formua Jezusi, Biri i Hyjit bërë njeri, krijimi arriti majën e vet më të
lartë. Zoti, krijues e zotërues i universit, Logos, niste të jetonte në botë,
në hapësirë e kohë.
“Fjala u bë njeri”. Drita e kësaj së vërtete i dëftohet
atij, që e pranon me fe, sepse është mister dashurie. Vetëm ata, të cilët ia hapin
zemrën dashurisë, mbështillen krejtësisht me dritën e Krishtlindjes. Kështu ishte
edhe në natën e Betlehemit, e kështu është edhe sot. Mishërimi i Birit të Zotit është
ngjarje që ndodhi në histori, por në të njëjtën kohë e tejkalon historinë. Në natën
e zezë të botës ndizet një dritë e re, që mund të shikohet vetëm me sytë e thjeshtë
të fesë, mund të kapet vetëm nga zemra e butë dhe e përvujtë e njeriut, që e pret
Shëlbuesin. Në se e vërteta do të ishte vetëm formulë matematike, në një farë mënyre
do të imponohej vetvetiu. Por në se e Vërteta është Dashuri, kërkon fe, kërkon t’ia
hapim e t’ia dhurojmë plotësisht zemrën tonë. E ç’kërkon vallë zemra jonë, në
se jo një të Vërtetë, që të jetë Dashuri? E kërkon foshnja, me pyetjet e veta çarmatosëse
e nxitëse; e kërkon i riu, gjithnjë i etur për të gjetur kuptimin më të thellë të
jetës së vet; e kërkojnë burra e gra në pjekurinë e moshës, për të mbajtur mbi supe
barrën e familjes e të punës; e kërkon deri plaku, që ta ndihmojë për ta kryer udhën
e vet mbi tokë.
“Fjala u bë njeri”. Kumti i Krishtlindjes është dritë edhe
për popujt, për ecjen kolektive të njerëzimit. “Emanueli”, “Zoti-me–ne”, erdhi si
Mbret i drejtësisë e i paqes. Mbretëria e tij – e dimë - nuk është e kësaj bote, e
megjithatë, është më e rëndësishme se të gjitha mbretëritë e kësaj bote: është si
tharm për njerëzimin; në se nuk do të ishte, do të mungonte forca, që e çon përpara
zhvillimin; nxitja që të shtyn të bashkëpunosh në punën për të mirën e përbashkët,
në shërbimin pa kurrfarë interesi ndaj të afërmit, në luftën paqësore për drejtësi.
Të besosh në Zotin, që erdhi të ndajë me ne historinë tonë, është inkurajim i vazhdueshën
për t’u impenjuar në këtë histori, edhe ndërmjet kontradiktave të saj. Është burim
shprese për të gjithë ata njerëz, që u fyhet e u dhunohet dinjiteti, sepse Ai, që
lindi në Betlehem, erdhi për ta çliruar njeriun nga rrënja e skllavërisë së tij.
Drita
e Krishtlindjes ndriçoftë përsëri në atë Tokë, ku lindi Jezusi e i frymëzoftë izraelitët
e palestinezët në kërkimin e bashkëjetesës së drejtë e paqësore. Lajmi ngushëllues
i ardhjes së Emanuelit, ua paqtoftë dhimbjet e i ngushëlloftë në orën e provës, bashkësitë
e krishtera në Irak e në mbarë Lindjen e Mesme, duke u dhënë besim e forcë e duke
i frymëzuar udhëheqësit e kombeve për solidaritet ndaj tyre. Ashtu qoftë edhe në
Haiti, në favor të atyre, që vijojnë të vuajnë për shkak të pasojave shkatrrimtare
të tërmetit e të epidemisë së kolerës. E uroj që të mos harrohen edhe ata, që kohët
e fundit u dëmtuan rëndë nga fatkeqësitë e natyrës, në Kolumbi e Venezuelë, por edhe
në Guatemalë e në Kosta Rika.
Uroj që lindja e Shëlbuesit të hapë perspektivat
e paqes së qëndrueshme e të progresit të vërtetë për popullsitë e Somalisë, të Darfurit
e të Bregut të Fildishtë; t’i sigurojë stabilitet politik e shoqëror Madagaskarit;
të sjellë siguri e respekt për të drejtat e njeriut në Afganistan e në Paksitan; të
inkurajojë dialogun ndërmjet Nikaraguas e Kosta Rikës; të favorizojë pajtimin në Gadishullin
korean.
Kremtimi lindjes së Shpërblyesit, forcoftë shpirtin e fesë, durimin
e guximin në shpirtin e besimtarëve të Kishës në Kinën kontinentale, që të mos e humbasin
guximin për shkak të kufizimeve të lirisë së fesë e të ndërgjegjes, duke ngulmuar
në besnikërinë ndaj Krishtit e Kishës së Tij e duke e mbajtur gjallë flakën e shpresës.
Dashuria e “Zotit-me-ne” u dhëntë durim të gjitha bashkësive të krishtera, që përballojnë
diskriminime e persekutime e i frymëzoftë liderët politikë e fetarë të impenjohen
për respektimin e plotë të lirisë fetare të të gjithëve. Të dashur vëllezër e
motra, “Fjala u bë njeri”, erdhi të banojë ndër ne, është Emanueli. Zoti që u bë
i afërmi ynë. Ta kundrojmë së bashku këtë mister të madh të dashurisë, t’ia hapim
zemrat, të ndriçohen nga drita, që shkëlqen në Shpellën e Betlehemit. Gëzuar Krishtlindjen
të gjithëve!