2010-12-25 19:48:38

Bashkësia e vogël e krishterë e Gazës e kremton Krishtlindjen në izolim e varfëri.


(25.12.2010 RV)Krishtlindja u kremtua me besim e shpresë edhe nga njëra prej bashkësive të krishtera më të vogla e më të varfëra të Lindjes së Mesme, bija më e brishtë e Kishës nënë të Jeruzalemit, më e vuajtura e më e izoluara: bashkësisa katolike e Gaza City, në Territoret palestineze. Këto ditë bashkësia priti patrikun latin Fuad Tual për përgatitjen e kremtimeve të Krishtlindjes. Don Gabriel Romanelli, që bashkëkremtoi në Gazë me imzot Tualin, na e përshkruan kështu festën:RealAudioMP3

Përgjigje: - Njerëzit e Gazës e pritën shumë mirë Patrikun. Të gjithë e njohin nga afër veprimtarinë e jashtëzakonshme të tij me të krishterët e edhe me myslimanët e Gazës, ku prania e krishterë është e brishtë. Ne, të krishterët e Gazës, jemi vetëm 3 mijë besimtarë, në gjirin e një popullsie prej një milion e gjysëm banorësh. Ka pak shkolla katolike e disa dispanseri.

Pyetje: - Si po e jeton Gaza Krishtlindjen?

Përgjigje: - Gaza duket si një lloj burgu. Liria është një nga të drejtat themelore të njeriut. Mund të vendosë të mos dalë fare nga shtëpia, ose të rrijë gjithë ditën jashtë saj. Mund ta vendosë ai vetë, por jo ta vendosin të tjerët për të e ta detyrojnë të mbyllet brenda katër mureve, ose të ikë fare, duke u larguar përgjithnjë nga streha e vet. Blloku rreth Rripit të Gazës e bën tejet të luhatshme çdo shpresë apo shkëndijë gëzimi në zemrën e banorëve. Megjithatë, njerëzit bëjnë atë që munden. Shpresojnë prapë se prapë kohë më të mira. Por, këtë ças nuk shihet asnjë shkëndijë drite në horizont. Problemi shoqëror është tejet i rëndë, sepse ka tepër papunësi e kjo krijon një atmoferë të shqetë. Duke dashur ta thyejnë disi këtë atmosferë, të krishterët, si njerëz të Kishës, përpiqen të organizojnë veprimtari nga më të ndryshmet, kulturore, edukative, shkollore, që shpresat të mos shuhen. Shpresa, që burojnë edhe nga jehona e Sinodit për Lindjen e Mesme, i cili tërhoqi vëmendjen e gjithë botës, për të parë realitetin në të cilin jetojmë. Shpresojmë, prandaj, se dikush do të na e zgjatë dorën e të na i shembë blloqet. Atëherë mund të nisë frymëmarrja e lirë. Shpresojmë! Në kundërshtim me çdo shpresë! Edhe pse shpresat Natën e Krishtlindjes ngrohin e ndrijnë më shumë se kurrë!







All the contents on this site are copyrighted ©.