2010-12-24 17:13:30

Përurohet shpella e Betlehemit në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan


(24.12.2010 RV)Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan ripropozoi sot mesazhin gjithnjë të ri të Lindjes së Krishtit për shtegtarët e besimtarët, që morën pjesë në përurimin e Betlehemit monumental, pasdite, në orën 17.00. E ndërtuar mbi një sipërfaqe prej 300 metrash katrorë, e shtrirë në 25 metra, skena e shenjtë frymëzohet nga tregimet ungjillore dhe përmban copëza jete nga Palestina e kohës së Jezu Krishtit.
Në qendër është vendosur ambienti i përvujtë, në të cilin lindi Foshnja Hyjnore: shpella me Jezusin, Marinë e Jozefin, shoqëruar nga prania e heshtur e kaut dhe e gomarit. Në të majtën e shikuesit, në një strukturë me kupolë prej druri, qëndrojnë personazhe të tjerë – burra, gra e fëmijë – që u bien instrumentave muzikore para një rrjete plot me peshq. Barka dhe shportat me fruta, që plotësojnë skenën tregojnë aktivitetet kryesore të njerëzve në atë kohë: peshkimi dhe kultivimi i tokës.
Shtatoret prej druri të personazheve i janë dhuruar Papës nga Filipinet, përmes Ambasadës pranë Selisë së Shenjtë, në 60-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve. Ato venë në dukje vlerat e familjes filipinase. Sipas traditës, ajo përfaqësohet nga një “shtëpi”, ku babai është “shtylla” dhe nëna është “drita”, që i ndriçon e i orienton anëtarët e familjes në rrugën e jetës. Solidariteti i vatrës filipinase shtrihet edhe mbi fqinjët e mbi të afërmit.
Skulptori i shtatoreve është filipinasi 34-vjeçar Kublai Ponce-Milan, nga ishulli i Mindanaos, i cili me veprën e tij, titulluar “Nativity” (Lindja e Krishtit) ka dashur të shprehë atmosferën e Krishtlindjes në vendin e vet, si edhe gëzimin e mirënjohjen e popullit filipinas për dhuratën e madhe, që Zoti i bën botës, me lindjen e Krishtit. I këtij skulptori - arti i të cilit karakterizohet nga gjallëria, hiri, mëshira e dinjiteti, plazmuar me çimento, çelik e bronx - është edhe Krishti i Ringjallur në Katedralen e Krishtit Mbret në Tangum.
Në të djathtën e Betlehemit, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, një shpellë me çati prej druri strehon dëshmitarët e parë të Lindjes së Krishtit: barinjtë dhe Mbretërit Dijetarë (që vendosen me 5-6 janar), në gjestin e adhurimit të Foshnjës Hyjnore. Këto janë shtatoret më të lashta, që vendosen çdo vit në shpellën e Betlehemit. Vijnë nga një kompozim Krishtlindjeje i vitit 1842, bërë nga shën Vinçenc Paloti në kishën e Shën Andreut della Valle në Romë. Si çdo vit, vishen nga motrat Françeskane Misionare të Zojës, të cilat njihen edhe si “Murgeshat e sixhadeve”, pasi merren me restaurimin e sixhadeve të Vatikanit. Më 5 e 6 janar, ato u ndërrojnë rrobat barinjve, duke i shndërruar në Mbretërit Dijetarë.
Përurimi i shpellës së Betlehemit në sheshin e Shën Pjetrit, u pasua edhe me një gjest tejtër, plot kuptim. Në orën 18.00, Ati i Shenjtë ndezi “qiriun e paqes” në parvazin e dritares së studios së tij private dhe bekoi besimtarët e mbledhur në shesh. Kujtojmë se zakonisht, Benedikti XVI shkon te shpella pasditen e 31 dhjetorit, pas kremtimit të Mbrëmësoreve në Bazilikën e Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.