2010-12-24 17:00:57

Papa në mikrofonin e Bbc: Fëmija i lindur në Betlehem është Shëlbuesi i të gjithëve, sepse e shkatërroi vdekjen.


(24.12.2010 RV)“Fëmija i lindur në Betlehem është Shëlbues i të gjithëve, sepse e shkatërroi përgjithnjë vdekjen”: janë fjalët që tha Papa sot paradite para mikrofonit të Bbc, në mesazhin e posaçëm të urimit për Krishtlindje drejtuar popullsive të Britanisë së Madhe. Një reflektim i shkurtër, të cilin Benedikti XVI e regjistroi të mërkurën e kaluar në Vatikan, për transmetimin historik të radios britanike, titulluar “Një mendim për çdo ditë”, si vijim simbolik i shtegtimit apostolik në këto troje shtatorin e kaluar.
Përshëndetje thellësisht e përzemërt e Benediktit XVI, në atmosferën e pritjes së kremtimit gazmor të lindjes së Krishtit. Nisi me kujtimin e kohëve të lashta, kur populli i zgjedhur nga Zoti, bijtë e Izraelit, prisnin Mesinë e premtuar, duke e përfytyruar si prijës të madh, që do t’i shpëtonte nga sundimi i të huajit e do t’ua rikthente lirinë e humbur.RealAudioMP3
“God is always faithful to his promises…
Zoti është gjithnjë besnik ndaj premtimeve të veta – pohon Benedikti XVI – por shpesh na çudit mënyra si i mban këto premtime. Foshnja, lindur në Betlehem solli vërtet lirinë, por jo vetëm për njerëzit e kësaj kohe e të këtij vendi; ai vinte si Shpëtimtar për të gjithë, vinte t’i çlironte njerëzit në çdo vend të botës e në çdo kohë të historisë. E liria, që sillte, nuk ishte politike, e fituar me armë në dorë: përkundrazi! Krishti e shpartalloi vdekjen përgjithmonë dhe e përtëriu jetën, përmes vdekjes së tij të tmerrshme mbi kryq.
“And while he was born in poverty and obscurity…
E ndonëse lindi në varfëri e në fshehtësi, larg qendrave të pushtetit tokësor – vijoi Papa – ai ishte njëlloj Biri i Zotit. Nga dashuria për ne, mori mbi vete natyrën tonë njerëzore, mori brishtësinë tonë, ligështinë tonë, e na hapi rrugën, që çon drejt përkryerjes së jetës, drejt pjesëmarrjes në jetën e vetë Zotit.
"As we ponder this great mystery in our hearts…
Ndërsa meditojmë në zemrat tona për misterin e madh në këtë Krishtlindje – shtoi Benedikti XVI – falënderojmë Hyjin për mirësinë e tij ndaj nesh e ua kumtojmë me gëzim të gjithë atyre që kemi përreth lajmin se Zoti na çliron nga të gjitha skllavëritë, na jep shpresë, na sjell jetë.
Së fundi Papa larton drejt qiellit lutjen për familjet e për të sëmurët, për ata që vuajnë e kalojnë çaste të vështira në këtë kohë, kur zemrat njerëzore duhet të pushtohen nga gëzimi i festës. E lutet posaçërisht për të moshuarit e për njerëzit, që numërojnë çastet e fundit të shtegtimit mbi këtë tokë, duke i lypur Krishtit, dritës së kombeve, hirin ta davarisë errësirën nga jeta e të gjithëve e t’u dhurojë Krishtlindje me paqe e gëzim!







All the contents on this site are copyrighted ©.