2010-12-24 17:01:12

Krishtlindje: Mesha e Natës në Bazilikën e Vatikanit. Nesër, mesazhi i Krishlindjes dhe bekimi Urbi et Orbi


(24.12.2010 RV)Sonte, në Bazilikën e Vatikanit, duke nisur nga ora 22.00, Benedikti XVI do të kryesojë kremtimin e Meshës së Natës, në Solemnitetin e Lindjes së Zotit.
Para kremtimit, Papa ndezi dritën e paqes, në prag të dritares së studios së tij private dhe bekoi Shpellën e Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit, përuruar pak para orës 18.00.
Nesër, në orën 12.00, nga Lozha qëndrore e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, Shenjtëria e Tij do t’i drejtojë mesazhin e Krishtlindjes e do t’i japë bekimin Romës e Botës – “Urbi et Orbi”.

Një traditë e lashtë, që vjen në kohët tona nga zanafilla e Kishës përtërihet rishtas: sonte, të bashkuar shpirtërisht me Atin e Shenjtë, të krishterët e mbarë botës do të kremtojnë misterin e lindjes së Zotit. Është misteri i Dritës, që ndriçon në mes të errësirës, i Fjalës së bërë njeri, i Bukës së zbritur nga qielli. Një nga çastet më prekëse të kremtimit në Bazilikën e Vatikanit, do të jetë ai i zbulimi i një figureje të Krishtit Fëmijë, ndërsa ndjetet e lutjes do të lexohen në gjuhën polake, franceze, filipine, portugeze e gjermane, si simbol i universalitetit të Kishës.

Nga Bazilika madhështore do t’i lartohet përsëri Zotit lutja që njeriu të respektohet nga zënia, në vdekjen e natyrshme. Lutja, që burrat e shteteve të punojnë me ndershmëri e guxim për bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve. Lutja, që gëzimi ta pushtojë shpirtin e të gjitha krijesave njerëzore, në këtë natë që rikumton pambarim përtëritjen e mbarë jetës.

Nata pa gjumë, njofton ceremonieri papnor, imzot Guido Marini, do të përfundojë me këngën e Kalendës, kumtim i lindjes historike të Shëlbuesit. Më 25 dhjetor – kujton ndërmjet tjerash Kalenda, kur mbi gjithë botën mbretëronte paqja, Jezu Krishti, Hyj i amshuar e Bir i Atit të amshuar, duke dashur ta shenjtëronte botën me ardhjen e Tij, si u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt e si kaluan nëntë muaj, lindi në Betlehem të Judës nga Virgjëra Mari, e u bë njeri. Është Lindja e Zotit tonë, Jezu Krishtit, sipas natyrës njerëzore.

Atmosferë pritjeje edhe për urimet e Krishtlindjes, që Benedikti XVI do t’i bëjë në 65 gjuhë të ndryshme, për t’i dhënë, më pas, për të gjashtën herë, mbarë njerëzimit, bekimin tradicional Romës e Botës - “Urbi et Orbi”.
Me bekimin solemn lidhet edhe ndjesa e plotë.
Të dielën, më 26 dhjetor, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa do të jetë në tremen e Sallës së Palit VI, në Vatikan, ku do të ulet në sofër me varfanjakët e motrave të Nënë Terezës, të strehuar në bashkësi të ndryshme, themeluar në Qytetin e amshuar nga e Lumja shqiptare. Janë të ftuarit e Atit të Shenjtë, që e shtron këtë drekë për të përkujtuar njëqind vjetorin e lindjes së Ganxhe Bojaxhiut. Ndërmjet të ftuarve, 350 mysafirë të qendrave të ndryshme të strehimit, shoqëruar nga 180 rregulltarë e rregulltare të familjes së madhe, themeluar nga “Nëna e të varfërve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.