Të nisemi nga të dhënat ungjillore: Mateu ungjilltar tregon: “Jezusi lindi në Betlehem
të Judesë, në kohën e mbretit Herod. Disa Mbretër Dijetarë, që arritën nga Lindja
në Jeruzalem, pyesnin: “Ku është Mbreti i Judejve që ka lindur? Kemi parë të ngrihet
ylli i tij e kemi ardhur ta adhurojmë!” Te Ungjilli i Lukës shkruhet: “Në ato ditë,
një dekret i Qesar Augustit urdhëroi të bëhej regjistrimi i banorëve në të gjithë
tokën. Ky regjistrim i parë qe bërë kur ishte sundimtar i Sirisë Kuirini”. Betlehemi
i Judesë, ku lindi Krishti, vetëm pak kilometra larg nga Jeruzalemi, ishte vendi i
origjinës të familjes së mbretit David, birit të Jeses. Davidi është stërgjysh i Jezusit,
e prandaj thirret “rrënja e Jeses”. Megjithatë Jezusi nuk njihet si “Betlemiti”, por
si “Nazareni”, sepse fëmijërinë, adoleshencën e rininë i kaloi në Nazaret, fshat i
Galilesë e jo i Judesë. Nazareti ishte vendi i Jozefit e i Marisë, prindërve të Jezusit. Jezusi
lindi në kohën e Herodit, mbretit të Judesë, me origjinë idumease, që do të thotë
gjysëm jude e gjysëm pagan. Herodi ishte mik i romakëve. Në Romë sundonte perandori
i parë, Qesar Augusti, i cili qëndroi në fron të perandorisë nga viti 29 para Krishtit
deri në vitin 14 pas Krishtit. Emri i tij fillestar qe Oktavian; më vonë këtij emri
iu shtuan epitetet Qesar, per nder të aftësive të tij prej prijësi e pastaj August,
si vulë e njohjes së pushtetit dhe autoritetit. Jezusi lindi kur Qesar Augusti
urdhëroi të bëhej regjistrimi i parë i popullsisë dhe kur sundimtar romak i Sirisë,
por edhe i Feniçies, ishte Publio Sulpicio Kuirino. Po në ç’ vite qeverisi Kuirini,
që qe sundimtar për dy mandate? Pyetja është themelore për të arritur tek viti
i saktë i lindjes së Jezusit. Kuirini sigurisht nuk qe sundimtar në vitin 7 para Krishtit.
Themi 7, sepse sipas astronomit Kepler, është ky viti i lindjes së Krishtit. Për astronomin,
ylli i Mbretërve Dijetarë nuk ishte tjetër veçse bashkimi i Jovit e i Saturnit, që
ndodhi pikërisht në vitin 7. Në astronomi “bashkim” quhet radhitja e dy trupave qiellore
në të njëjtën gjatësi, ose në ‘ngritje vertikale’. I parë nga toka, fenomeni mund
të duket si bashkim i dy trupave, në të cilin i vogli ndodhet poshtë të madhit. Një
almanak astronomik siro-babilonez thoshte edhe se në vitin 7 Jovi e Saturni zunë vend
në të njëjtin konstelacion. Llogaritjet e mëvonshme dëshmuan se në vitin 7 nuk ndodhi
një bashkim i mirëfilltë, sepse Jovi e Saturni mbetën gjithnjë larg më se dy diametra
të dukshme nga hëna dhe, prandaj, nuk mund të shiheshin nga Toka si një yll i vetëm.
Prej këndej lind pyetja: në se jo Kuirini, kush ishte qeveritar i Sirisë në vitin
7? Ishte Senzio Saturnino. Ndërsa Qurini, sundonte me siguri në vitin 6, vit në të
cilin u bë një regjistrim tjetër, ai i Apameas. Shën Luka flet për regjistrimin
e parë, jo për të dytin. Kasio Dioni shënon se regjistrimet e para Augusti i bëri
në vitin 11 para Krishtit. Eshtë ky viti që na intereson për të përcaktuar datën e
lindjes së Jezusit. Kështu mund të themi se regjistrimi i parë u bë nën qeverisjen
e parë të Kuirinit. Zhvendosemi përsëri në planin astronomik. Në vitin 11 ose rreth
tij, ngjet diçka e rëndësishme astronomike, aq sa flitet për një yll. Vërtet në vitin
11 u duk një yll ndërmjet konstelacionit të Binjakëve, të Luanit, të Ofiukut, të Hidrës
e të Akrepit. Ky yll u pa në tokën e Jezusit nga 26 gushti deri më 20 tetor të vitit
12 me një shkëlqim shumë më të madh se të atij që u duk, për shembull, në vitin 1910. Pra
data e lindjes se Jezusit ka shumë mundësi të jetë viti 12 para Krishtit. Themi ka
shumë mundësi, sepse Shën Mateu shkruan se ylli, që panë Mbretërit dijetarë vijonte
të lëvizte, derisa arriti tek grazhdi i Foshnjës së sapolindur: kjo lëvizje, astronomikisht
krejt e pazakontë, mund të nënkuptohet edhe si një këshill për të mos i besuar vetëm
astronomisë lidhur me caktimin e datës së lindjes tokësore të Birit të amshuar të
Hyjit.