2010-12-23 15:39:52

Papa do t’i flasë popullit anglez përmes radios së BBC-së


(23.12.2010 RV)Papa Benedikti XVI regjistroi dje paradite një mesazh reflektimi shpirtëror mbi Krishtlindjen, që do të transmetohet në radion e BBC-së, në prag të festës. Lajmi u dha mbrëmë nga zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Është fjala për një program shumë të ndjekur në Mbretërinë e Bashkuar, që quhet “Thought of the day” (Mendimi i ditës), prej tre minutash, i cili transmetohet çdo ditë në mëngjes. Në të ftohen personalitete e udhëheqës shpirtërorë, që shprehin reflektime të tipit fetar.
Atë Lombardi shpjegoi se bisedimet me BBC-në për një mesazh të tillë kanë filluar që gjatë udhëtimit të Papës në Mbretërinë e Bashkuar, në shtatorin e këtij viti. Regjistrimi u bë në një nga ambientet e Sallës Pali VI, në praninë e drejtorëve të BBC-së. Është diçka pa precedent, pasi është shkruar një tekst i posaçëm për radion, me të cilin Benedikti XVI i drejtohet popullit britanik. Teksti do të bëhet i njohur pas transmetimit nga BBC-ja. Mund ta ndiqni në emisionin tonë të nesërm dhe në faqen tonë të internetit www.radiovaticana.org. Më parë, ky mendim i ditës i është besuar edhe kryeipeshkvit anglikan të Kanterburit, Rouan Uilliams dhe kryeipeshkvit katolik të Uestminsterit, imzot Vinsent Nikols.







All the contents on this site are copyrighted ©.