2010-12-23 07:03:04

Krishti pret të lindë përsëri në zemrën tonë


Krishtlindja është tashmë tek porta, por njerëzimi e posaçërisht ai i perëndimit rrezikohet ta kremtojë këtë solemnitet duke harruar protagonistin: Jezu Krishtin.
Rrezikohemi të bëjmë e të kremtojmë festën, pa Atë që e ka festën, sepse Krishtlindja po bëhet gjithnjë më shumë pikërisht kështu: festë në të cilën mungon Ai që kremtohet, do të thotë Krishti Fëmijë. Shikojmë si përhapet gjithnjë më shumë një mendësi, që i jep Krishtlindjes kuptim krejt të ndryshëm nga ai që ka vërtetë, duke u zhveshur, zbrazur e zëvendësuar me elemente që nuk kanë të bëjnë fare aspak me thelbin e mesazhit të Lindjes së Krishtit. Në të vërtetë në këto dukuri shfaqet shekullarizmi e laicizmi që nuk duan shenja fetare shpirtërore në jetën publike në shoqëri e madje e luftojnë atë private të njerëzve e bashkësive..
Po si duhet të veprojmë, për ta lëshuar plotësisht veten në dorën e Provanisë Hyjnore?
Fjala e Zotit është mjeti më i përshtatshëm e më i mirë, është mjeti i parë; i dyti është Eukaristia, por tek Eukaristia arrihet pasi ta kesh zbuluar se kush është Jezusi. Prej këndej detyra e parë është kumtimi, predikimi, por jo një predikim i përgjithshëm, që nuk i prekë fare zemrat e njerëzve. E këtu dëgjohet zëri i Shën Pali Apostullt, që na kujton se duhet të rinisemi nga kerygma. Kerygma do të thotë ta dëgjosh përsëri lajmin më të rëndësishëm, që përmbledh në vetvete të gjitha lajmet e tjera të mëdha të historisë së shëlbimit: Krishti vdiq për mëkatet e mia, u ngjall për shfajësimin tim. Ndërsa për ne, që jetojmë në një shoqëri, e cila nuk është e krishterë, siç ishte dikur, në të cilën shkolla, familja nuk u japin më fëmijëve edukatë fetare e shpirtërore, feja nuk mund të lulëzojë vetvetiu, dalë-nga- dalë. Duhet nxitur. E Shën Pali na kujton se feja lind vetëm në praninë e këtij kumti. Gjithçka tjetër – katekizmi, morali, përshpirtëria – vijnë më pas, për të edukuar një fe, që tashmë ka lindur në shpirt. Pra shën Pali na kujton feja lind nga dëgjimi i këtij kumtimi.
Po kujtojmë një frazë të Origjenit që thotë: “Ç’vlerë ka për mua fakti që Krishti lindi një herë nga Maria në Betlehem, në se nuk lind përmes fesë edhe në shpirtin tim? Si mund ta kuptojmë këtë frazë?
Jezusi lindi një herë historikisht, një herë të vetme, por mund të lindë përsëri përmes fesë në shpirtin e njeriut, i cili – thoshte Shën Bonaventura – zë në shpirt dëshirën për ta pranuar Krishtin në jetën e vet në një mënyrë të re. Ja: kështu Krishti mund të lindë përsëri në këtë zemër, në këto zemra, në zemrat e ne të gjithëve: e këtë u uroj të gjithë dëgjuesve, posaçërisht nëse janë besimtarë. Uroj, pra, të mos kënaqen me një Krishtlindje, që nuk e ndjejnë në thellësitë e shpirtit, por ta shijojnë me fund lindjen e Krishtit, që do të jetë burim i një gëzimi, ndoshta të panjohur deri më tani...
Ç’ mund t’u themi atyre, që kalojnë periudha të vështira në jetë, që shikojnë t’u lëkundet feja, që janë në rrezik ta humbasin lidhjen me Zotin?
Krishtlindja na jep pikërisht një inkurajim të fuqishëm lidhur me këtë... na nxit të mendojmë se Jezusi, një ditë, hyri në zemrën e njeriut, të çdo njeriu, që e kërkon të vërtetën, dashurinë, jetën, lirinë, lumturinë... Atëherë duhet të kemi besim. Në se njeriu është në kërkim të Zotit, në se Zoti nuk përjashtohet vullnetarisht nga jeta, nëse bëhen përpjekje për ta njohur, për ta takuar, Jezusi është aq i mirë, aq i gatshëm, aq bujar, aq durimtar me ne, sa ta gjejë vetë rrugën për të arritur në zemrat tona, për ta kremtuar ditëlindjen e vet me ne, për të na mbushur me gëzimin e tij hyjnor, që vetëm Ai di ta japë, pavarësisht nga vështirësitë shpirtërore, ekonomik ose nga mijëra trazira të tjera, që nuk mungojnë kurrë në jetën e çdo njeriu.
Pra, duhet t’ia hapin zemrat shpirtit të Krishtit?
Po, duhet të besojnë në Të, të besojnë fort se Krishti Fëmijë nuk do të mungojë, por do të na trokasë në portën e zemrës sonë Natën e Madhe të kësaj feste e në të gjitha netët e jetës sonë, të shpirtit tonë!







All the contents on this site are copyrighted ©.