2010-12-23 07:21:24

Historiku i këngës ‘Stille Nacht’ (O e qeta Natë)


Në këto ditë të mëdha, në atmosferën Krishtlindjes 2010, me qindra herë kemi dëgjuar në radio, në televizion, në Kisha, pranë Betlehemit, tingujt dhe fjalët e këngës së famshme “Stille Nacht” - “O e qeta Natë”. Po cili është historiku i krijimit të kësaj kënge, ndër më të famshmet e më të përhapurat në mbarë botën?
Fjalët qenë shkruar natën e Krishtlindjes së vitit 1818, nga meshtari Joseph Mohr (Jozef Mor) (1792-1848), ndihmës famullitar në Oberndor të Salcburgut (Austri).
Në të njëjtën natë qenë muzikuar nga Franc Xavier Gruber (Françesk Saver Gryber) (1787-1863), organist i qytezës së afërme, Arsndorf.
Sipas dëshirës së Mor, motivi muzikor qe punuar për dy zëra, shoqëruar nga kori dhe kitara.
Mor e këndoi vetë këngën dhe e shoqëroi me kitarë, ndërsa Gryber bëri pjesën e basit.
Fjalët dhe melodia u përhapen menjëherë, aq sa kënga u bë “Himn i përbotshëm i Krishtlindjes”.
Autorët e këngës nuk figurojnë në asnjë enciklopedi të madhe, ndoshta sepse “Stille Nacht” është i vetmi krijim i tyre. Por shumë muzikantë të shquar, emrat e të cilëve gjinden në të gjitha enciklopeditë, kanë deklaruar se do t’i jepnin me gjithë zemër të gjitha kryeveprat e tyre, për të qenë autorë të kësaj ninulle hyjnore, melodia e së cilës është e njohur nga njerëz të të gjitha moshave, të të gjitha kombësive.
Shumë shpejt kjo këngë nisi të këndohej edhe ndër shqiptarë. Ishte fillimi i shekullit, kur Atë Vinçenc Prennushi, françeskan, i prekur thellë nga bukuria e këngës, e përktheu dhe “O e qeta Natë” u këndua për herë të parë në Kishën françeskane të Gjuhadolit në kremtimin e Krishtlindjes së vitit 1920.
Po ju njohim me tekstin e Atë Vinçencit, një nga përkthimet më lirike e më prekëse të këngës:
Flej, o Qielluer,
Zojës në krahnuer.
Flej, mos kjáj,
ndale at’ váj.
Gjumi t’vjen,
por ty s’t’bahet me fjetë,
pse n’do kashta
t’rrin trupi Ty p’shtetë.

Jezus për p’shtim të gjithë neve,
Jezus për p’shtim të gjithë neve.

Ty Zoja Mri,
Ty gjithë dashtëni,
rrin tuj t’ruejtë,
ambël prujtë,

Ditë do t’vinë, o Shelbues, me u mekë;
Ka me të ra mbi një krygjë ty me dekë !
Jezus për p’shtim të gjithë neve,
Jezus për p’shtim të gjithë neve!
Ishte përkthim krejt i lirë i tekstit. Ndërkaq jezuiti Atë Pjetër Meshkalla e përktheu duke i qëndruar shumë më besnik tekstit gjermanisht, që nisi të këndohej në kishat e etërve jezuitë e këndohet edhe sot:
Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë,
Krishti i lum sot ka le;
Shih si qeshet e bukura f’tyr’,
Me sy t’ambel mbar shekullin k’qyrë’
Flej, o i bukuri, flej
Flej, se shpresa je Ti.
Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë
Krishti f’mijë i Zoj’s Mari
Qe, në prehen sa mir’ po i rri,
Ejt’këndojnë me brohori:
Erdh i lumi Mesi
Erdh i lumi Mesi.

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë,
Me shpejti vijnë barijt
Me shikue k’te bukuri,
Me adhrue njik’te fëmijë
Krishti plot dashuni,
Krishti plot dashuni!
Le të jehojë, pra, me fjalët shqipe, kjo kryevepër botërore, në Kishat tona që këtë vit, për të 16-tën herë mbas dekadave pa Krishtlindje, shtruan kashtën shqiptare në grazhdet e Betlehemeve, për të pritur Shëlbuesin dhe i kënduan nina-nanën universale në gjuhën tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.