“Foshnjës së Betlehemit” O Zot, derisa koha i grin të gjitha shpresat, e
vetmja shpresë mbetesh Ti! Derisa shekuj e shekuj me mijëra kalojnë e zhduken, Ti
mbetesh përherë i ri. Ti ruan freskinë e lules e të gurrës së acartë. Derisa
pasuritë gjithnjë më shumë zbulojnë një fytyrë që gënjen e shpërbëhet, Ti prapë
na mahnit, na josh përsëri veç me varfërinë e Betlehemit. O Zot, lodhur janë
fjalët, premtimet vijojnë të përsëriten e të kundërshtojnë vetveten pambarim.
Po flakëza e shpresës në shpirt nuk na shuhet, etja për dritë rilind pambarim;
e pritja lulëzon përsëri. Presim diçka, presim Dikë. Të presim Ty, o Foshnje
e varfër e madhështore e Betlehemit, je Ti përgjigja që në shpirtin tonë jehon, Ferishte
e Betlehemit, je pasuria që ne s’e kuptojmë, Ti, varfanjak i Betlehemit, je
paqja që aq fort na mungon. O Zot, i lindur në Betlehem, qytet i varfërisë e
i vogëlsisë sonë, vrapojmë pranë Marisë, të të shikojmë me sy, të të duam
me zemër, për të qenë, më në fund, me Ty, të lum, o Foshnje e Betlehemit, se
vetëm Ti mund të na dhurosh, një rreze drite në errësirën tonë. Amen. lutje
shkruar nga kardinali Angelo Komastri