“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”:
Dita e lamit: vijim i kremtimit.
(22.12.2010 RV)Në meditimin e kaluar e lamë të zotin e shtëpisë duke therur
tokën, për të mbytur brejtësit e duke uruar: “Gacë e karricë!”. Si e kryente këtë
rit, thyente bukën e një copëz djathë e ia jepte atij që e solli. Tjetrën e merrte
e e çonte në shtëpi, ndërsa ûnët ia jepte bariut. Ky ulej në ‘burg të gjâsë’ e, duke
përplasur ûnat rreth e rrotull, përsëriste pa pushim: “Gacë e delme”; “Gacë e dhi”;
“Gacë e lopë”. E kështu, duke numëruar një për një emrat e gjësë së gjallë, që dëshironte
t’ia falte Zoti, gjatë vitit, ende në lindje e sipër. Si kryente urimet, bariu
ngjitej lart e të gjithë së bashku, në agim, hanin bukën e lamit, bukën e jetës së
re, që në kristianizëm dalëngadalë zevendësohej me Bukën e verën e elterit, me Korpin
e Gjakun e Krishtit. Pas përfundimit të bukës, të gjithë dilnin përsëri përjashta,
me tallë, këmesë e gjilpërë, për të frikësuar pemët e buta. E duke i kërcënuar pemët,
shkëmbenin dialogun: - A e pres? – Mos e pre, se bân! - A e theri? - Mos e ther, se
lidhë. Tri herë përsëriteshin këto fjalë e më pas pema lidhej me tallë, që të bënte
kokrra. Pas përbetimit të pemëve, të gjithë lanin shtatin me ujë që ec. E e prisnin
kthimin e plotë të ditës, me bindjen se kështu zgjidheshin shpirtrat e të vdekurve
në atë jetë, për të kremtuar së bashku me të dashurit, në këtë jetë, pikërisht ditën
e lindjes së një Fëmije, i cili e merrte për dore në udhën e Ringjalljes. Banori
i lashtë i trojeve të sotme shqiptare, që ecte në rrugën e krishterimit duke hapur
horizonte drejt botës së lartë, thurte e çthurte ngjarje, që ishin e s’ishin të botës
së tij, me një fill kujtimi gjithnjë tek Fryma, tek përtëritja e jetës, ëndërr e të
gjitha breznive. Çelte, kështu, portën, për të parë sesi në shpellat e vetmuara
të maleve e në kasollet me kashtë të fshatrave të veta, vinte vetë Zoti!