Më 21 dhjetor përkujtojmë Pater Dedën e Madh, jezuit, në 163-vjetorin e lindjes.
(21.12.2010 RV)Duke shfletuar kalendarin më 21 dhjetor përkujtojmë Atë Domeniko Pazin,
i njohur si Pater Deda i Madh, jezuit, në 163-vjetorin e lindjes. E quajtën Pater
Deda i Madh, jo vetëm sepse kishte shtat vigan, por kryesisht sepse vigan kishte shpirtin,
kulturën, dashurinë, vëllazërimin e jashtëzakonshëm. Për ta përshkruar si duhet portretin
e Atë Domeniko Pazit, misionar jezuit italian, duhet të lexosh tre vëllimet e veprës
monumentale "Albania". E, po sa ta kesh kryer së lexuari, do të kujtohesh se jeta
e këtij misionari të ndritur është krejtësisht e shkrirë me jetën e popullit shqiptar.
Ishte Atë Deda i Madh ai që themeloi misionin e famshëm shëtitës të jezuitëve,
i cili i ngjitej shkrepave e majeve të maleve shqiptare, mbuluar me dëborën e përjetshme
e ulej rreth vatrave malësore, ku vrisnin njëlloj ngrica e arma, për të zbutur jetën
e për të pajtuar gjaqet. Rreth këtij misioni, kudo i shkelte këmba, mblidheshin burra
e gra, pleq e fëmijë, për të dëgjuar fjalën e Krishtit, për të falur e për t'u pajtuar
në emër të tij. Atë Deda e shkriu një pjesë të mirë të jetës ndërmjet këtyre njerëzve,
për t'u kthyer herë pas here në Kolegjin Saverian në Shkodër, ku kishte qenë i pari
rektor e ku kishte botuar shumë tekste për shkollat shqipe. Në netët e errëta të
bjeshkëve, nën dritën e pishtarit, ai ulej përdhé e shkruante mbresat e ditës, të
ditëve, historinë e atij vendi e atyre njerëzve të thjeshtë, të ngatërresave, armiqësive,
gjaqeve, pajtimit e paqes që binte ndër vatrat ku hynte Kryqi. Shkruante historinë
e luftës e të paqes, të njerëzve e të Kishës. Kur kthehej pastaj në Shkodër, e përpunonte
materialin, të cilin sa qe gjallë nuk mundi ta shihte të botuar. Duke ecur në gjurmët
e tij, shkrimet e PAtë Dedës së Madh, i përpunoi dhe i botoi sivëllai, Atë Kordinjano,
duke na lënë trashëgim tre vëllimet e "Albanisë". Nuk është lehtë ta njohësh e ta
tregosh jetën e misionarit të madh jezuit. Ne vetëm sa e kujtuam sot, me mirënjohje
të thellë, në pervjetorin e lindjes.