2010-12-21 16:52:43

Kërkimi i së vërtetës në kohë krize: reflektime mbi fjalimin e Papës për Kurien Romake


Ka pasur jehonë të madhe fjalimi i djeshëm i Papës para Kuries Romake, gjatë shkëmbimit të urimeve për Krishtlindjen. Janë të pranishme në të temat e mëdha, që karakterizojnë këto kohë jetën e Kishës. Kujtojmë se në fillim, Benedikti XVI e krahasoi kohën që po jetojmë, me rënien e Perandorisë Romake. Një analogji, mbi të cilën ndalet në mikrofonin tonë, filozofi italian Vitorio Posenti, pedagog në Universitetin e Venedikut:RealAudioMP3
Më duket se pikëlidhja del nga vetë fjalët e Papës, i cili vëren diçka shumë të rëndësishme, vë në dukje shpërbërjen e strukturave, që mbajnë në këmbë drejtësinë dhe sjelljet morale bazë: kjo mund të jetë pikëlidhja ndërmjet gjendjes aktuale të Perëndimit dhe asaj krize të gjatë, që solli rënien e Perandorisë Romake. Papa e përqendron diagnozën e tij në këtë aspekt, i cili është pa dyshim themelor. Përsa i përket krizës së Perëndimit, dua të kujtoj këtu, një fjalim tjetër, mbajtur në Romë në maj të vitit 2004, kur Papa i tanishëm – atëherë kardinal e teolog – vinte në pah zvetënimin e forcës jetësore të Perëndimit. Qytetërimi perëndimor, pavarësisht se i fuqishëm teknikisht e financiarisht, konsiderohej nga teologu Racinger si i dobët nga brenda, për shkak të mungesës së një shtyse jetësore. Kjo sjell krizë të thellë shpirtërore e kulturore në Perëndim, që duhet zgjidhur me mjetet karakteristike të kulturës, teologjisë, përshpirtërisë e lutjes.
Një term, që ndeshet shpesh në fjalimin e Papës e madje në krejt papninë e tij, është “të qenët i arsyeshëm”, që nuk është njësoj me racionalitetin si qëllim në vetvete…
Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm, pasi ne perëndimorët, të tunduar nga bollëku e nga shumëllojshmëria e zbulimeve tekniko-shkencore, e përdorim arsyen si diçka, që na sjell më shumë mjete për të rritur mirëqënien e për të mbizotëruar mbi natyrën. Por, përveç arsyes instrumentale e para saj, ekziston një arsye, që në një farë mënyre, e “zbulon”, e nxjerr në dritë të mirën dhe vetë ekzistencën. Pikërisht kjo na mungon, arsyeja, e cila qëndron në bazën e vetëdijes morale. Papa kujtoi disa herë mundësinë e ekzistencës së të vërtetave morale, që janë të vërteta në vetvete. Me fjalë të tjera: ekziston e mira dhe e keqja si të tilla, ekzistojnë gjëra, që janë të mira në vetvete e të këqia në vetvete.
Në fjalimin e tij, Papa tregoi edhe një shembull për t’u ndjekur, atë të të Lumit Xhon Henri Njuman. Në veçanti, Benedikti XVI theksoi se për kardinalin Njuman, ndërgjegja kishte kuptimin e aftësisë së njeriut për ta njohur dhe për ta pranuar të vërtetën. Kjo shkon në kahe të kundërt me bindjet e sotme, të cilat vendosin në qendër subjektivitetin e njeriut…
Me të vërtetë, kuptimi kryesor i ndërgjegjes morale është se si e mira, ashtu edhe e keqja mund të njihen nga njeriu, prandaj, gjykimet me vlerë morale nuk janë vetëm shprehje emocionesh, pasionesh apo ndjenjash, që ndryshojnë nga njeriu në njeri. Ne kemi një përvojë morale e një ndërgjegje morale, që na çon drejt së mirës, ose drejt së keqes.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të Papës për Kurien Romake i kushtohej Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme. Benedikti XVI bëri edhe një herë thirrje për ndalimin e kristianofobisë në botë. Të dëgjojmë reflektimin e jezuitit Samir Khalil Samir, pedagog në Universitetin e Shën Jozefit në Bejrut dhe në Institutin Papnor Oriental të Romës: RealAudioMP3
Ekziston një fakt: nëse të krishterët kërkuan një Sinod për Lindjen e Mesme, e bënë këtë për shkak të emigrimit të madh të kristianëve nga zona, emigrim, që varet nga rritja e dhunës islamike në rajon. Papa kishte folur për këtë problem që në Regensburg, ku pati thënë se dhuna është e papajtueshme me fenë e me Zotin. Në fjalimin për Kurien përmend Këshilltarin e myftiut sunit të Libanit, që me të drejtë pati thënë këtë frazë: “Me plagosjen e të krishterëve, plagosen edhe vetë myslimanët”. Por, komenton Papa, ky e zëra të tjerë të arsyes janë tepër të dobët. E ky është problemi: nëse duam të luftojmë terrorizmin, nuk mund ta bëjmë vetëm në nivelin ushtarak. Niveli është ideologjik: në këtë nivel, cila është zgjidhja? Papa na e tregon menjëherë mbrapa: Sinodi, pohon, nxorri me arsyetimin e vet, një konceptim të ri mbi dialogun, faljen dhe mikpritjen e ndërsjelltë.
Atë Samir, kjo duket një ide, që shkon përtej mbrojtjes së thjeshtë të pakicës së krishterë…
Sigurisht, Papa flet për “kristianofobi”: është i vetëdijshëm për faktin se gjithçka përqendrohet shpesh kundër të krishterëve, ndoshta pse janë pikërisht ata, që mbrojnë arsyen para dhunës. Por ky është parim për krejt njerëzimin, si për besimtarin, ashtu edhe për laikun, për të gjithë. E duke e zgjeruar reflektimin në frymën e Krishtlindjes, më duket se mund të themi: duke u nisur nga përvoja e Lindjes së Mesme dhe e Sinodit, duam të sjellim frymën e pajtimit, që njerëzit të ngrihen në mbrojtje të refugjatëve, të të vuajturve, që njerëzit ta gjallërojnë frymën e pajtimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.