2010-12-21 16:53:14

Bjellorusi: lirohen dy nga shtatë kandidatët e opozitës arrestuar në manifestime.580 manifestues dënohen me burg.


Autoritetet bjelloruse liruan përkohësisht dy nga shtatë kandidatët e opozitës për president arrestuar gjatë protestave kundër fitores së presidentit Aleksandër Llukashenko. Bëhet fjalë për Dmitri Us dhe Jaroslav Romançuk, liruar dje në mbrëmje me kusht që të mos largohen nga kryeqyteti. Që të shtatë kandidatët akuzohen se kanë organizuar tërbullira masive, krim ky që dënohet deri me 15 vjet burgim.
“580 nga 600 manifestuesit e arrestuar të dielën e kaluar, janë dënuar me nga 5 deri 15 ditë burg, deklaroi për shtypin kryetari i policisë së Minskut, Leonid Farmaguei.
Shqetësim të veçantë për gjendjen në Bjellorusi shprehu edhe Komisarja e Lartë e Kombeve të Bashkuara, Navi Pilei, e cila iu bëri thirrje autoriteteve bjelloruse të lirojnë të gjithë të arrestuarit. “Jam shumë e shqetësuar për gjendjen e krijuar, veçanërisht për përdorimin e forcës kundër manifestuesve që nuk kanë marrë pjesë në aktet e dhunës.” - deklaroi për shtypin Komisarja e lartë e OKB-së Navi Pilei.
“Një tjetër faqe e artë në historinë e popullit të madh bjellorus”. Kështu i quajti zgjedhjet e fundit në Bjellorusi, presidenti iranian Ahmadinexhad në një telegram urimi dërguar presidentit Llukashenko. “Përfundimi i zgjedhjeve”, i shkruan Ahmadinexhad Llukashenkos, “tregon se populli i mbështet programet e juaja.”
Kujtojmë se edhe fitorja e Ahmadinexhadit në votimet presidenciale të 2009 u pat shoqëruar me protesta masive nga ana e studentëve, që u shtypën me dhunë e gjak.







All the contents on this site are copyrighted ©.