2010-12-20 18:21:26

“Drejt Krishtlindjes":Dielli dhe agimi në mitologjinë e lashtë të maleve


(20.12.2010 RV)Në liturgjinë e krishterë, Krishti është Dielli i jetës, simbol që vjen nga thellësitë e lashtësisë. Ky simbol i mitologjisë së lashtë greke e romake, ashtu si ai i agimit, përkon shumë me mitologjinë e maleve tona, në kohë të mugëta, kur kalohej nga paganizmi në krishterim.
Sipas mitologjisë së lashtë Dielli, Hëna e Agimi ishin bijtë e hyjit Hiperion- zot i dritës, e të hyjneshës Theia, ‘e ndritshmja’, e nderoheshin si zota.
Me përhapjen e krishterimit në trojet e lashta iliro-shqiptare, simbolet e kësaj mitologjie nisën të shndërrohen, duke fituar një kuptim të ri e një vlerë të re. Populli i bjeshkëve vijoi për një kohë të gjatë të besonte se Dielli e Hëna qenë vëlla e motër, në përkim të plotë me mitologjinë klasike.
Ndërsa elementi i krishterë i dha një kuptim të ri, shprehës simboleve të diellit e atij të agimit, kur horizonti prapohet e pritet lindja e diellit të ri, në ditë të re.
Drita i tregon udhën njeriut, shtegtar i pacak, zë i humbur shkëmbijsh, gjithnjë plot me mall e dëshirë për të parë larg. Për ta thyer errësirën. Për të afruar agimin, që e ndërron gjakun në zemër.
Sipas traditës së re të krishterë, besimtarët, kudo që ishin, në shtëpi, në fushë a në mal, nisën të silleshin menjëherë me fytyrë nga dielli, duke bërë shenjën e kryqit. Dielli i ri, në traditën e krishterë, nuk ishte më thjesht një trup qiellor. Ishte Krishti. E agimi, Dita e ardhjes së parë të Zotit ndër ne, Dita e Shën Këndellës.







All the contents on this site are copyrighted ©.