2010-12-20 18:11:02

Papa për Ditën Botërore të të Sëmurit: të investohet gjithnjë më shumë në strukturat shëndetësore


(20.12.2010 RV)Asnjë i sëmurë nuk duhet ta ndjejë veten të harruar a të braktisur: është thirrja Benediktit XVI në Mesazhin për Ditën Botërore të të Sëmurit, që do të kremtohet më 11 shkurtin e ardhshëm, në festën e Zojës Lurdë. Si kujton temën e Mesazhit “Nga plagët e tij u shëruam”, Ati i Shenjtë nënvizon se, duke u ringjallur, Krishti fitoi mbi vuajtjen e mbi vdekjen.
E, në se çdo njeri duhet shikuar si vëllau ynë, aq më tepër ai që vuan, që është i sëmurë, i ligësht. Njeriu është njeri në atë masë, që pranon e ndihmon vëllezërit në çaste të vështira e shoqëria, që nuk i pranon të sëmurët, është krejtësisht çnjerëzore. Prej këndej, thirrja drejtuar autoriteteve për të investuar gjithnjë më shumë energji në strukturat shëndetësore, në ndihmë të njerëzve që vuajnë, posaçërisht më të varfërve e më nevojtarëve. Papa kujton me emocion vizitën në Torino, gjunjëzimin para Sindonës së Shenjtë, para asaj fytyre, që të fton të meditosh për Atë, që mbarti mbi vete vuajtjet e njeriut të të gjitha kohëve e të të gjitha vendeve, edhe vuajtjet tona, vështirësitë tona, mëkatet tona. Prandaj thekson se vuajtja mbetet e ngarkuar me mister, e vështirë për t’u pranuar e për t’u mbartur e, njëkohësisht, bankëprovë për fenë e secilit nga ne!
Në se marrim pjesë në mundimet që pësoi Krishti në kryq, për mbarë njerëzimin e për secilin nga ne, Zoti na ngushëllon, na bën pjestarë të dashurisë së Tij. Ta takojmë, prandaj Zotin, sa më shpesh në Eukaristi - i fton Papa të gjithë besimtarët - e , duke cituar një fragment të dokumentit të DBR-së së ardhshme të Madridit, kujton sidomos të rinjtë e sëmurë, të cilët i fton të mos i shikojnë me frikë e tmerr Kryqin e kryqet , sepse nuk janë mohim i jetës, përkundrazi, janë pohimi më i lartë i saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.