2010-12-20 19:34:05

Kosovë: Thaçi dëshiron të takohet me Tadiçin


(20.12.2010 RV)Kryeministri kosovar Hashim Thaçi i bën thirrje presidentit serb, Boris Tadiç të takohen. Sipas një interviste në gazetën “Express”, kreu i qeverisë së Prishtinës dëshiron rifillimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kujtojmë se Thaçi ka fituar zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, megjithëse, pas denoncimit të opozitës, ato do të përsëriten më 9 janar, në tri qendra. Pavarësisht se rezultatet zyrtare mund të jepen vetëm atëherë, Thaçi ka deklaruar se koalicioni i mundshëm për qeverisjen e vendit do të jetë me Aleancën për Kosovën e Re.
Gjithashtu, në një intervistë me agjensinë britanike “Reuters”, kryeministri kosovar hedh poshtë akuzat e relatorit për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Dik Marti, sipas të cilit ai dhe krerë të UÇK-së janë përfshirë në një rrjet kriminelësh, që merren me trafik droge, armësh dhe organesh njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.