2010-12-18 15:14:44

“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”: Amshimi në traditën shqiptare


Ideja e të ngjallurit të korpit dhe e jetës së pasosur ka qenë e pranishme në shpirtin e banorit të lashtë të trojeve shqiptare që në kohë të mugëta, parapagane, për të vijuar në ato pagane, kristiane e deri në kohët tona moderne.
Po sjellim këtu dy dëshmi nga vepra e Martin Camajt.1 Duke analizuar epikën popullore, shkrimtari shpjegon:
“... një rapsod i kategorisë së fundit në Dukagjin tregon në prozë të thjeshtë si paska pasë ndeshë dikund në bjeshkët e nalta në kreshnikët e lashtë, në ata të epikës sonë, kinse të gjallun. Ishin hije të gjalla, rrëfen ai, dhe kishin ardhë përsëri ndër male për të shkrue biografinë e tyne të saktë. Të gjithë ishin veshë në lëkura, rrëfente rapsodi i kohnave tona, e me që atë ditë binte shí në bjeshkë, pikat e shiut sa grushti rridhnin nëpër degat e ahut e kërsitnin mbi shpina të tyne lëkurash të zbrasta përmbrenda. Ai kalonte në imtësi dhe ngulte kambë se zanet e herojve tingëllonin si kumbime lahute në zhark kengji.
Disa sish, gjithnjë simbas fjalëve të treguesit, kishin humbë kujtesën e thoshin se qenkëshin filan filani e filan filani, të gjithë emna herojsh të kohnave tona”...
Kjo dëshmia e parë. E mbledhur në ditët tona.
Në parathanien e ‘Palimpsest’ lexojmë:2
“Mbas 13 vjetësh ktheva në vendlindje. Të dytën ditë mbas kthimit, njerëzit e mij më thanë me shkue ndër rëmaj, ndër vorre, të vizitoj ata që kishin vdekë gjat kohës kur unë isha larg. Më përcolli një plak që nuk më kujtohej se e kisha njoftë maparë. Mbasi në asnjë gúr vorri tek na ndër male nuk gjen emën të shkruem, më duhej një përcjellës. Ky, kur mbërritëm atje, në vend me më thanë: ky ashtë vorri i t’yt et ose ky apo kjo, thirrte para çdo gúr vorri: ooo! (Filan Filani) po në atë mënyrë rituale e me atë tingull zani, sikur të ishte tue i thirrë ato vetje për së gjalli para derës së shtëpisë: ooo (Filan Filani) me emën e mbiemën.
Tue dalë prej Rëmajve, iu fala nderës malësorit plak që m’i tregoi vorret e njerëzve të mij. Tejet i ngacmuem iu çue delli në ballë:
“Si, tha, po më falesh nderës për kaq e gja? Vetëm një za u lëshova, bre burrë! e kurrgja tjetër: dashtë Zoti e më kanë ndie!”
Prej kësaj rrethane më ka mbetë në kujtesë fjala zani që përshkon prej një jete në tjetrën”.
“Prej një jete në tjetrën”. E shtegu për të kaluar prej një jete në tjetrën u hap me lindjen e një Fëmije në një shpellë edhe për banorët epikë të maleve tona, për të cilët Nata e madhe, me barinj, kingja e engjëj ishte e është shumë më e kuptueshme, sesa për banorët e metropoleve moderne.
____
1 Martin Camaj: Epika, dorëshkrim
2 Martin Camaj, Parathanie e ‘Palimpsest’. Daktiloshkrim. Në libër, shtypur shqip e anglisht, parathania botohet vetëm në anglisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.