2010-12-18 15:15:08

Ta presim Jezusin me dashuri në të gjitha shtëpitë e botës.


Krishtlindja do të kremtohet përsëri, për të na kujtuar se Zoti vjen pranë nesh, kur e duam. Urojmë që Krishti të pritet me dashuri në të gjitha shtëpitë e shqiptarëve e të botës.
“Gëzohuni, sepse Zoti është afër!”. Kjo është thirrja Shën Palit që i shoqëron besimtarët në Kohën e Ardhjes së Shpëtimtarit të njerëzimit. Apostulli i Popujve natyrisht mendon për rikthimin e Zotit, por vëren edhe faktin e vërtet se askush nuk është në gjendje ta dijë çastin e ardhjes së Hyjit. Prandaj kjo thirrje na nxit e na afron kaq shumë pranë Zotit, këto ditë, kur e presim e për përgatitemi për të takuar Hyjin e Mishëruar, në Foshnjën e Betlehemit.
Që në kohen apostolike, Kisha, e ndriçuar nga Shpirti Shenjt, e kuptonte gjithnjë më mirë se ‘afërsia’ e Hyjit nuk është çështje hapësire, as kohe, por çështje dashurie: dashuria afron! Krishtlindja e afërme vjen të na kujtojë këtë të vërtetë themelore të fesë sonë e, para Shpellës së Betlehemit, mund të shijojmë gëzimin e krishterë, duke kundruar, në Foshnjën Hyjnore, fytyrën e vetë Hyjit, që vjen pranë nesh për dashuri.

Në atmosferën e gëzimit të vërtetë të Krishtlindjes, Kisha na fton të gjithëve t’ia hapim zemrat Zotit e ta presim me dashuri:

Hapi zemrat tona,
që ta presim Jezusin me gëzim,
të bëjmë gjithnjë atë që na kërkon
e ta shikojmë në të gjithë njerëzit
që kanë nevojë për dashurinë tonë!

E pranë shtatoreve të Foshnjës Hyjnore që vendosim në grazhdin e Shpellave të Betlehemit që kemi përgatitur nëpër shtëpitë tona, të bashkojmë zërin në këtë lutje:

O Zot, Ati ynë…
të lutemi që, me bekimin tënd,
Jezusi Foshnje, që po vjen mes nesh
të jetë, në shtëpitë tona
shenjë e pranisë sate dhe e dashurisë sate Hyjnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.