2010-12-18 15:18:32

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


E diel 19 dhjetor, Kisha kremton të dielën e 4-të të Kohës së Ardhjes, e po sot më 19 dhjetor kalendari Kishtar përkujton edhe Urbanit V papë e Anastasit papë. Pritja e Zotit, ashtu si ardhja e tij, janë çështje feje, e në se ne kemi fe, Hyji, me dhuratën e shërimit, do të na bëjë jo vetëm të ecim, por edhe të vrapojmë; jo vetëm të flasim, por edhe të bërtasim, kur është nevoja.
Të hënën më 20 dhjetor bie përkujtimi i Shën Filogonit ipeshkëv. Liturgjia e së kremtes na kujton një kumt tjetër të Engjëllit të Zotit. Këtë herë është për Marinë: edhe asaj i drejtohet ftesa të mos trembet as mos të çuditet nga mrekullitë që kryen para syve të saj Zoti.
Të martën e ardhshme më 21 dhjetor, përkujtohet Shën Pjetër Kanizi, meshtar jezuit e doktor i Kishës dhe e Shën Mikea Profet. Liturgjia e ditës na sjell këtë reflektim: Krishti është shëlbuesi i vërtetë i njerëzimit e Maria ua dhuroi të gjithë atyre që duan e dinë ta presin në zemër.
Të mërkurën që vjen më 22 dhjetor, kalendari përklujton festën e Shën Françeska Kabrinit, virgjër, themeluese e misionareve të Zemrës së Krishtit. Liturgjia e së kremtes së saj na kujton se Zoti vijon të bëjë mrekulli gjithnjë e për të gjithë, por njeriu i përvujtë është i aftë ta pranojë dhuratën e Hyjit
Të enjten më 23 dhjetor, përkujtohet shën Gjoni i Ketit. Ai me jetën dhe misionin e tij, na kujton se në rrjedhë shekujsh nuk kanë munguar kurrë lajmëtarët e Zotit, që na ndihmojnë ta njohim më thellë e ta jetojmë më përkushtueshëm fenë tonë. E dita e sotme na kujton edhe se, pas shtegtimit liturgjik njëvjeçar, jemi shumë pranë cakut: “Ta ngrejmë kokën lart, shpëtimi ynë është fare pranë!”.
Të premten e ardhshme më 24 dhjetor, bie Nata e Madhe e Krishtlindjes. Në këtë ditë, kur kalendari Kishtar përkujton edhe festën liturgjike të Shenjtoreve Tarsila e Irma, ridëgjojmë profecitë mesianike për Jezusin e falënderojmë Zotin, që vjen përsëri mes nesh. Hyji deshi të bëhej njeri, duke hyrë në historinë konkrete të njerëzimit. Gjenealogjia e gjatë e fisit të Jozefit na dëshmon se Jezusi Zot i përket popullit hebraik e mbarë njerëzimit.
Me 24 dhjetor kremtojmë lindjen e Foshnjës Hyjnore në Betlehem, kremtojmë festën kur Krishti fëmijë rilind në zemrat e njerëzve, në zemrat e atyre që besojnë e të atyre që nuk besojnë, sepse Zoti vjen në botë për të gjithë, duke u sjellë si dhuratë vetveten.

Të shtunën më 25 dhjetor, do të kremtojmë Lindjen e Zotit tonë Jezu Krishtit. Është Dita e Madhe e Krishtlindjes, Dita e festës së Mishërimit të Zotit kur gjithçka nis përtëritjen; errësira bëhet dritë e Engjëjt mbi Shpellën e Betlehemit këndojnë: “Lumni Zotit në qiej të larta e paqen në tokë njerëzve, që ai i do!”, ndërsa besimtarët rijetojnë mrekullinë e Betlehemit në Meshët e Mesnatës e të Ditës së Lindjes së Shelbuesit të botës, Jezu Krishtit Zot.
Të dielën e ardhshme më 26 dhjetor kalendari Kishtar kremton solemnitetin e Familjes Shenjte të Nazaretit – që në traditë njihet si ‘Konaku Shenjt’, e po më 26 dhjetor, Kisha përkujton edhe Shën Shtjefnin, martirin e parë të krishterimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.