Më 18 dhjetor kalendari Kishtar përkujton Shën Malakinë Profet
(18.12.2010 RV)Libri i Malakisë Profet mbyll, në Besëlidhjen e Vjetër, serinë e profetëve
të vegjël. Prandaj Malakia njihet edhe me emrin “Vula e Profetëve”. Pak e aspak
dihet për jetën e tij: dimë se ishte nga fisi i Zabulonit, se lindi në Sofa e se jetoi
pas mërgimit babilonez, gjatë sundimit persian. Libri i tij trajton problemet morale
të bashkësisë hebraike, të cilën e nxit të pendohet. Simbolik fakti se rreshtat
e fundme të Librit të tij, flasin për një lajmëtar të Zotit, dërguar për të rivendosur
marrëdhënie të drejta ndërmjet Hyjit e popullit të tij. Është një profeci mesianike,
që lind në zemrën e historisë së Izraelit, por që nuk kufizohet në rrethanat që e
lindën. Malakia jetoi disa dekada pas rindërtimit të Tempullit, që duhet të jetë kryer
rreth vitit 520 para Krishtit, pas kthimit të hebrenjve nga mërgimi. Në këtë periudhë
patën profetizuar Agjeu e Xakaria, të cilët i patën ftuar njerëzit të shikonin përpara,
sepse rikthimi i ritit templar shpesh dukej sikur e kishte humbur shpirtin e vet të
vërtetë: kremtimin e dashurisë së Hyjit që vepron në histori. Zëri i Malakisë
ngrihet për t’i qortuar besimtarët për humbjen e interesit ndaj besimit, për vlerësimin
e sjelljeve të jashtme, për largimin nga Hyji e për padrejtësitë e panumërta. Profeti
shenjt i fton të gjithë të përgatiten për takimin me Zotin. Kumt tepër aktual, për
këtë periudhë të Kohës së Ardhjes.